Veseli me odat ekonomike: Qeveria urgjentisht t’u dalë në ndihmë ndërmarrësve

Veseli me odat ekonomike: Qeveria urgjentisht t’u dalë në ndihmë ndërmarrësve

Ekonomia September 21, 2020 - 13:04

Partia Demokratike e Kosovës e konsideron shqetësuese sjelljen e qeverisë aktuale karshi krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia dhe “neglizhencën e saj” për të kaluar Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike javën që shkoi.

“Kanë kaluar gjashtë muaj nga prilli, kur PDK-ja ka propozuar pakon ekonomike që i përmbushte nevojat e qytetarëve dhe bizneseve, por ishte bllokuar atë kohë nga Lëvizja Vetëvendosje që udhëhiqte me qeverinë. Avazin e vjetër të bllokadës dhe paaftësisë, po e vazhdon edhe kjo qeveri e udhëhequr nga LDK-ja, cila ka propozuar në Kuvendin e Kosovës një pseudo-pako ekonomike, që jo vetëm nuk i përmbushë nevojat elementare të ekonomisë tonë, por fillimisht ka mashtruar qytetarët për tërheqjen e 10% të Trustit, duke premtuar rimbursim ndërsa më vonë as që e përmendi”, thotë PDK-ja.

Sipas PDK-së, nga të dhënat zyrtare të mjeteve që qytetarët posedojnë në Fondin e Trustit Pensional, rezulton se një përqindje e madhe do të mund t’i tërheqin vetëm një shumë të vogël të mjeteve dhe se, sipas kësaj partie, “ky është mashtrim ndaj qytetarëve dhe nevojave të tyre të përditshme”.

“Sjellja e kësaj qeverisje është e mentalitetit bllokues dhe në mungesë të numrave të saj në Kuvendin e Kosovës për ta kaluar pakon, e ka hedhur fajin tek opozita. Partia Demokratike e Kosovës, karshi përgjegjësisë së saj ndaj qytetarëve dhe bizneseve të vendit, e fton qeverinë e Kosovës që ta plotësoj Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike Covid-19; t’i merr parasysh kërkesat e odave ekonomike dhe propozimet e PDK-së, në mënyrë që kjo të votohet brenda një dite në Kuvendin e Kosovës”, thekson PDK-ja.

Në këtë drejtim, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka takuar sot drejtuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, dhe të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, me të cilët ka diskutuar për krizën ekonomike të shkaktuar nga pandemia dhe ka mbështetur iniciativën e odave për përfshirjen e kërkesave të tyre në Projektligj.

Si parti e qendrës së djathtë, PDK-ja thotë se vlerëson se në këtë gjendje pandemie, institucionet e shtetit mund të ofrojnë lehtësira fiskale dhe të eliminohen procedurat burokratike; të përkrahë drejtpërdrejt ndërmarrësit e Kosovës; si dhe të shohë praktikat më të mira evropiane të tërheqjes së mjeteve të tyre nga qytetarët prej Trustit Pensional dhe mbështesë të gjitha kategoritë sociale pa dallim.

“Që nga fillimi i pandemisë, PDK-ja është e para dhe e vetmja parti politike që ka propozuar zyrtarisht në Kuvendin e Kosovës pakon emergjente dhe ka bërë propozime konkrete për t'i tejkaluar pasojat e rënda ekonomike”, ka thënë PDK-ja. /Zëri