Vërshimet e lanë pa asgjë familjen Ademi, para vërshimeve e humbën Blerimin 6 vjeçar

Kronika August 18, 2016 - 19:35

Tragjedi pas tragjedie në familjen Ademi në Hasanbeg. Tre javë para vërshimeve kjo familje humbi djalin 6 vjeçar, Blerimin, i cili ishte goditur në rrugë nga një kamion.

Hyrije Ademi me lot në sy tregon se me shumë mall e përkujton Blerimin e vogël, por tani për tani brenga e saj e vetme është për tre fëmijët e tjerë, të cilët janë pa kulm mbi kokë. “Kemi ndenjtë krejt këtu me fëmijë t’u ra shi.

Uji hyni brenda, mezi që i nxjerra fëmijët, i çova te kunata. Krevatet, shporetet krejt i kemi gjuajtur. Para se të ndodhë kjo, djalin e vogël ma shkeli kamioni dhe ndërroi jetë, djali ka qenë 6 vjet e gjysmë”,- tha për TVM2 banorja e Hasanbegut, Hyrijete Ademi.

Kryeplaku i familjes, Vesel Ademi, thotë se vërshimet e 6 gushtit ishin një tmerr i vërtetë që nuk do ta harrojë asnjëherë. “Jo nuk kam pa kësi shiu, ishalla nuk shoh më. Zoti le të më merr shpirtin e mos të shoh”,- theksoi Vesel Ademi.

Shumë familje në rajonin Hasanbeg-Haraçinë si pasojë e vërshimeve të gjashtë gushtit kanë ngelur pa kulm mbi kokë, prandaj shpresa e tyre e vetme mbetet tek ndihmat e bamirësve dhe institucioneve.

Ndihmoni në tel: 070/ 629 224