Babai monstër përdhunoi vajzën 15 vjeçare, zbardhen dëshmitë e banorëve të fshatit

Kronika August 22, 2016 - 20:38

Të afërm dhe banorë të fshatit Përgjegje mendojnë se Guri Përgjegji (Gjurani), siç ata e thërrasin duhet të ketë qenë i droguar në momentin e ngjarjes kriminale, kur ai ka përdhunuar vajzën e tij 15 vjeçe.

“Panorama” duke iu referuar dëshmive të fqinjëve, shkruan se ata thonë se pas vdekjes së gruas së parë Gjurani u bë keq. “Ai vinte në fshat vetëm si mysafir. Vinte shumë rrallë. Qëndronte pjesën më të madhe të kohës në Greqi. Rrallë e kemi parë në fshat. As herën e fundit nuk e dinim se kishte ardhur. Kur vinte qëndronte i mërzitur, i stresuar dhe i vetmuar”, tregojnë fqinj të Përgjegjit.

Sipas tyre ai ndryshoi totalisht pasi humbi gruan e parë. Banorët e këtushëm flasin me superlativa për fisin dhe familjen Përgjegji.

“Gjurani ka pasur një vëlla më të madh, i cili nuk jeton më. Ishte burrë me norma dhe menaxhonte edhe dy vëllezërit e tjerë. Vëllai i vogël i Gjuranit nuk është mirë me shëndet. Ai nuk ka pasur asnjë mundësi të diktojë apo drejtojë vëllain më të madh”, shtojnë të shqetësuar banorët e fshatit që u bë i njohur pas kësaj ngjarjeje të rëndë dhe të padëgjuar. Fqinjët e Guri Përgjegjit shkojnë më tej. Ata janë të mendimit se 46-vjeçari duhet të ketë nisur përdorimin e lëndëve narkotike.

“Gjurani, vijon rrëfimi i bashkëfshatarëve të Përgjegjit, me siguri duhet të ketë qenë i droguar në momentin e përdhunimit të së bijës. Ai kur ishte në gjendje normale nuk shfaqte të tilla shenja. Emigrimi jashtë vendit dhe problemet që kishte duhet ta kanë futur në rrugën e drogës. Në gjendje normale nuk besojmë se ai do të kryente këtë krim të padëgjuar për anët tona”.

Sipas banorëve të fshatit Përgjegje atij duhet t’i kryhen analiza të plota dhe të shihet shëndeti mendor i Guri Përgjegjit. Kjo sipas tyre jo për t’i lehtësuar masën e dënimit që e pret për krimin, por për të lehtësuar të afërmit se ai e ka kryer atë nën efekte të tjera. Nga dëshmia e njerkës së vajzës, gruaja e dytë e autorit, 46-vjeçari kishte 3 muaj që ngacmonte 15-vjeçaren.

Sipas saj, babai e prekte vajzën në vende intime dhe e kundërshtonte gjithmonë njerkën e saj, duke i thënë të mos i fliste, pasi dinte çfarë bënte me të bijën. Gjatë kësaj kohe, veprimet e kryefamiljarit diheshin vetëm brenda shtëpisë, por nuk ka mundur që t’i ndalojë kush, derisa të enjten e shkuar ndodhi më e rëndë.

Ndërsa kthehej nga tregu i Peshkopisë, i shoqëruar nga bija e vetme, Guri Përgjegji e futi atë në mes të pyllit dhe e përdhunoi. Nga ana e ekspertizës është konfirmuar dhuna fizike dhe ajo seksuale mbi 15-vjeçaren.