Të arrestuarit për terrorizëm po planifikonin sulme në Kosovë dhe Ballkan

Kronika November 05, 2016 - 22:53

Sipas Prokurorisë Speciale të arrestuarit e mbrëmshëm nën dyshimet për terrorizëm po përgatisnin sulme në Kosovë.

Në kërkesën e Prokurorisë Speciale, të cilën e ka siguruar kallxo.com, që ka të bëjë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj shtatë të dyshuarve për vepra që lidhen me terrorizmin që u arrestuan mbrëmë në regjionet e Mitrovicës, Ferizajt e Prishtinës.

Sipas kësaj kërkese, të arrestuarit mbrëmë i takojnë organizatës terroriste ISIS që po lufton në Siri e Irak.

Prokuroria në kërkesë pretendon që njëri nga të dyshuarit për terrorizëm me inicialet B.B. një kohë ka marrë pjesë në aktivitetet e ISIS-it në Siri.

Prokuroria thotë se të dyshuarit sipas udhëzimeve të ish-udhëheqësit të shqiptarëve në Siri Lavdrim Muhaxheri gjatë muajve shtator-tetor 2016  kishin planifikuar sulme terroriste së pari në Kosovë e pastaj edhe në Ballkan.

Sipas prokurorisë, të dyshuarit kishin cak institucionet e sigurisë, të frikësojnë popullsinë, të destabilizojnë vendin dhe të shkatërrojnë strukturat ekonomike, politike dhe financiare.

Me këto veprime prokuroria vlerëson se të arrestuarit kanë kryer veprën penale përgatitja e sulmeve terroriste në Republikën e Kosovës.

Prokuroria pretendon se disa nga të arrestuarit kishin kontakte të tyre në Shqipëri dhe Maqedoni dhe se lënia e tyre në liri do të paraqiste rrezik.

Shumica e të dyshuarve gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë u mbrojtën në heshtje duke mos u deklaruar rreth dyshimeve të prokurorisë për ta.

Por avokatët e tyre kundërshtuan ashpër pretendimet e prokurorisë.

Avokati i L.M, Nasuf Hasani tha për KALLXO.com se prokuroria ndaj të mbrojturit të tij ka filluar hetimin disa orë para arrestimit.

“Pretendimi i prokurorisë është absurd, sepse nuk kanë ofruar asnjë provë për veprimet përgatitore që ata pretendojnë. Prokuroria nuk përcakton veprimet e të mbrojturit tim, nuk përcakton se kënd e ka furnizuar, kënd e ka aftësuar, cilat pengesa i ka eliminuar dhe asgjë tjetër,” tha avokati Hasani.

Por Gjykata Themelore në Prishtinë ua caktoi paraburgimin prej një muaji të dyshuarve V.I, L.M, B.B, B.I, K.P, L.V dhe L.M.