Aksidenti tragjik në Tiranë, zbardhet ekspertiza: Pse vdiqën të rinjtë

Kronika November 23, 2016 - 23:21

Mungesa e kaskave mbrojtëse u mori jetën dy të rinjve, që u përplasën me motor mbrëmjen e së hënës pranë Ambasadës Ruse në Tiranë.

Përplasja e kokës në asfalt ka qenë fatale për këngëtarin Ergi Dini dhe mikun e tij që drejtonte motorin, Kejdi Halili. Ata kanë ndërruar jetë 30 minuta pasi ndodhi aksidenti, teksa u jepej ndihma e parë në Spitalin e Traumës.

Ekspertët e Policisë Rrugore kanë kryer të gjitha veprimet në vendngjarje, ku është konstatuar se shkak i aksidentit ka qenë një manovër e gabuar e drejtuesit, 21­vjeçarit Kejdi Halili. Kamerat e sigurisë kanë zbardhur të gjithë lëvizjen e dy të rinjve me motor dhe momentin e përplasjes. Ka qenë një tentativë për ta ngritur në gomë të parë motorin, ajo që ka sjellë rrëshqitjen e gomës së pasme dhe më pas përplasjen.

Policia thotë se shpejtësia e mjetit ka qenë normale, dhe 21­vjeçari Halili ishte i pajisur prej tri vitesh me leje drejtimi për motor dhe makina. Përplasja fatale ka ndodhur në orën 21:20, ndërsa 30 minuta më vonë, në orën 21:50, është raportuar vdekja e dy të rinjve në Spitalin e Traumës.

NGJARJA

Dy të rinjtë, Ergi Dini dhe Kejdi Halili, që kishin një miqësi të hershme me njërintjetrin, kanë qenë bashkë në një lokal që ndodhet pranë Librit Universitar, në zonën e ish­Bllokut. Pasi kanë dalë nga lokali, ata kanë hipur në motorin që e drejtonte Halili dhe kanë vazhduar rrugën në drejtim të urës që ndodhet mes pallateve “Agimi” dhe “Shallvareve”.

Nga të dhënat e Policisë motori nuk ka lëvizur me shpejtësi në asnjë moment gjatë kësaj rruge. Kur kanë marrë kthesën në të djathtën e tyre, që ndodhet në krah të Ambasadës Ruse, në bulevardin “Bajram Curri”, për të vijuar në drejtim të urës së Lanës, pranë ish­hotel “Dajtit”, motori ka humbur kontrollin.

Drejtuesi, Kejdi Halili ka tentuar të ngrihet në gomën e parë, por në këtë moment ka ndodhur aksidenti, pasi ka rrëshqitur në asfalt goma e pasme. Motori ka shkuar zvarrë për 2­3 metra dhe të rinjtë janë përplasur në tokë, në trotuarin që ndodhet në krah të Ambasadës Ruse. Sipas Policisë, ata kanë pasur plagë të rënda në pjesën e pasme të kokës nga goditja në trotuar, plagë të cilave nuk u mbijetuan dot.

POLICIA

Në rrugën që del nga zona e ish­Bllokut, për në bulevardin “Bajram Curri”, thuajse çdo ditë ka shërbime të Policisë Rrugore në patrullim. Por mbrëmjen e djeshme, shërbimi nuk ndodhej aty, për shkak të angazhimit në afërsi të stadiumit “Selman Stermasi”, ku ishin kërkuar pasi do të kalonin disa makina të tonazhit të rëndë që kishin marrë leje më parë në polici.

Megjithatë, dy të rinjtë që lëviznin pa kaska mbrojtëse janë konstatuar nga komandanti i grupit të Policisë Rrugore, i cili ishte duke lëvizur me makinë nga ura pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës në drejtim të urës pranë ish­hotel “Dajtit”. Oficeri i Qarkullimit, sapo ka parë dy të rinjtë pa kaska, u ka kërkuar shërbimeve që ndodheshin te kryqëzimi i madh i bulevardit “Dëshmorët e Kombit” që të ndalonte motorin, i cili po shkonte drejt tyre.

Teksa afrohej me mjetin e tij, oficeri i Rrugores ka parë bllokim trafiku te kryqëzimi i Ambasadës Ruse dhe kur ka zbritur nga makina ka konstatuar se motori të cilin ai e kishte raportuar te shërbimet ishte aksidentuar.