Një muaj paraburgim për anëtarët e 'Syrit të Popullit'

Kronika May 27, 2017 - 19:52

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës mbi caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve Ragip Sallova dhe Sabit Berisha në kohëzgjatje prej  një muaji.

“Gjykata ka konstatuar se ekziston dyshimi se me dt.03.01.2017, në shtëpinë e të pandehurit R.S është mbajtur mbledhje ku është planifikuar dhe është shpalosur programi i organizatës kriminale ‘Syri i Popullit’ për organizimin në sulmet ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë, aktual si dhe ndaj ish udhëheqësve të mëhershëm shtetëror.  Po ashtu i pandehuri R.S në faqet sociale Facebook, ka postuar foto me të akuzuarin M.J dhe ka shumë publikime ku shkruan për tradhtarët dhe thërret që të vritet tradhtia”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore.

Sipas kësaj komunikate, me këto fakte dëshmohet se i dyshuari R.S është pjesëtar i kësaj organizate kriminale, e cila organizatë fshihet pas Lëvizjes për Ribashkim Kombëtar të Kosovës, kryetar i së cilës është vet i dyshuari R.S.

Më 25 maj, Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona në lidhje me hetimet që po kryen pas plagosjes së avokatit Azem Vllasi. Tre të tjerët janë liruar me procedurë të rregullt.