Grumbulluesit joformalë të mbeturinave, pa mjete mbrojtëse

Grumbulluesit joformalë të mbeturinave, pa mjete mbrojtëse

Kronika August 13, 2019 - 10:17
Detajet

Individët që punojnë si grumbullues joformalë të mbeturinave, në të shumtën e rasteve janë pjesëtarë të komunitetit rom, dhe për të siguruar bukën e gojës rrezikojnë shëndetin e tyre.

Në këtë aktivitet të rregullt ata përballen me rreziqe të mëdha ngase punojnë pa mjete mbrojtëse.

Zyrtarë që merren me të drejtat e Minoriteteve në Kosovë thanë për Radio Kosovën se individët që punojnë si grumbullues të mbeturinave, nuk fitojnë më shumë se 100 euro në muaj.

Grumbulluesit joformalë të mbeturinave në Kosovë kërkojnë mbeturina në kontejnerë publikë, i klasifikojnë ato dhe me pas ua shesin kompanive private të cilat merren menaxhimin e mbeturinave.

Adrian Zeqiri, drejtor ekzekutiv i Qendrës Evropiane për Çështje të Minoriteteve në Kosovë, tha për Radio Kosovën se mbledhësit joformalë të mbeturinave punojnë në kushte shumë të vështira, madje ata rrezikojnë edhe shëndetin e tyre.

“Sa i përket mbledhësve joformalë, ata u ekspozohen një rreziku të madh d.m.th. rrezikojnë edhe shëndetin e tyre kur është çështja e punës që e bëjnë, por është edhe mënyra e vetme për të siguruar jetesën dhe të ardhurat e tyre”, tha Zeqiri.

Të rinjtë  nga Fushë Kosova thonë se mbledhësve joformalë në komunën e tyre duhet t’u jepet mundësi punësimi nga kompanitë private të mbeturinave, pasi që me ato te ardhura ata mbajnë familjen.

Në qoftë se gjatë mbledhjes së mbeturinave rrezikohet jeta e tyre, duhet të gjejmë mekanizma që t’u dalim në ndihmë.

Personave që merren me grumbullimin e mbeturinave duhet t’u jepet një mundësi që të punësohen në fabrikat e riciklimit të mbeturinave.

Bajram Limani, menaxher  i Sistemit të Cilësisë në Kompaninë për Menaxhimin e Deponive, tha se  Kosova po shënon rritje të gjenerimit të mbeturinave.

Aktualisht në vendin tonë nuk trajtohen të gjitha mbeturinat, dhe përderisa nuk bëjmë riciklim të mbeturinave gjendja nuk pritet të ndryshojë në një të ardhme të afërt, tha Limani.