Vrasje në Han të Elezit

Kronika February 11, 2016 - 10:51

Një grua është qëlluar për vdekje nga bashkëshorti i saj, 70-vjeçar, në Han të Elezit.

Policia e ka marrë informatën për një rast vrasje, sot rreth orës 01:30.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore si dhe ekipi mjekësor, ku pas ekzaminimit nga ana e mjekut është konfirmuar se viktima e rastit kishte ndërruar jetë.

Viktima F. B. 64 vjeçare ishte qëlluar me armë zjarri nga i dyshuari H. B. 70 vjeçar, përndryshe bashkëshorti i viktimës. Ai është arrestuar nga policia, ka bërë të ditur Agim Gashi, nga Zyra Rajonale për Informim e Policisë Rajonale në Ferizaj.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe dy gëzhoja si dhe është gjetur dhe konfiskuar arma e llojit dhe kalibrit të panjohur, me të cilën dyshohet se është kryer vepra.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.

Sipas deklaratave të dëshmitarëve dhe vetë të dyshuarit, rasti ka ndodhur pas një zënke verbale mes bashkëshortëve.

Ndaj të dyshuarit, me urdhër të prokurorit të Shtetit, është marrë masa e ndalimit prej 48 orësh.