Nesho e Panchev: Libri i Hoxhajt, kontributi i një intelektuali dhe shtetari për Kosovën

Kultura August 24, 2016 - 21:27

Ministri i Punëve të Jashtme te Kosovës, Enver Hoxhaj, në kuadër të Seminarit të Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare, ka prmovuar librin e tij më të ri “Ngritja e një shteti” para albanologëve dhe shumë studentëve të ardhur nga vende të ndryshme të botës.

Për librin e tij, folën ish ambasadori shqiptar në SHBA, Agim Nesho dhe albanologu i njohur, Anton Panchev. Ambasadori Nesho e cilësoi librin e tij si një arritje politike. Sipas tij, me këtë vepër autori tregon prioritetet e nevojshme në realizimin e qëllimeve strategjike por dhe nevojën e trajtimit me kujdes të marrëdhënieve me vendet e tjera sipas interesave që ka një shtet i ri demokratik për tu konsoliduar dhe ecur përpara.

''E ndjej veten shumë të privilegjuar të jem përpara këtij auditori sidomos për seminarin tuaj që ka krijuar tashmë një traditë dhe për te folur për promovimin e librit të një mendimtari dhe diplomati të shquar. Detyra e një lideri është ta qoj popullin e tij nga aty ku ndodhet, atje ku duhet te arrij dhe kjo është arritja kryesore e profesorit të nderuar Dr. Enver Hoxhaj. Ka bërë përpjekje që ta rivendos Kosovën në hartë përmes prezantimit të gjuhës së saj, kulturës, por edhe përmes prezantimit të çështjes së Kosovës, në kohën kur Kosova ka qenë e shtypur. Kjo ka qenë një kauzë e shqiptarëve dhe mënyra më e mirë e prezantimit të Kosovës”, është shprehur Ambasadori Nesho.

Albanologu Panchev tha se “Libri është një punim me rendësi të madhe shkencore i cili trajton politikën e Jashtme të Kosovës në vitet e fundit dhe perspektiven për të ardhmen. Janë të rrallë librat për politikën jashtme në formën çfarë është shkruar nga Hoxhaj”.

Vetë autori, ministri Hoxhaj ka shpjeguar motivet pse e kanë nxitur të shkruaj këtë libër dhe nevojën për të pasur një mendim strategjik afatgjatë për politikën e jashtme të Kosovës.

Image
Image
Image