'Mesjeta e ditëve tona', libri i ri i Ag Apollonit

Kultura February 11, 2019 - 10:31

Qeveria si kishë mesjetare, mediat dhe rrjetet sociale si inkuizicion, ekstremistët fetarë si templarët e dikurshëm, intelektuali si pelegrin që kërkon të çlodhet në një vend të shenjtë, maska si fytyrë e pandjenjë, skizma si pasojë e shpërdorimit të lirisë, alegoria si kuptim i fshehur i jetës sonë, janë vetëm disa nga temat e librit “Mesjeta ime” të shkrimtarit Ag Apolloni, i cili në këtë libër, si asnjëherë më parë, luan me poliseminë e fjalëve dhe godet në të katër anët. “Inkuizicioni politik fillimisht të shpall heretik, pastaj t’i lëshon langonjtë e vet, të cilët të përcjellin në çdo hap, në çdo veprim, në çdo gjest. Ai krijon paranojë te qytetarët e pabindur, të cilët i godet në mënyrë tinëzare, në mënyrë që ata të kujtojnë se u goditën nga fati, ose fantazma, dhe kështu i kthen në fatalistë ose lunatikë. Duke qenë se shteti vazhdon të mbetet i mbyllur, falë politikës sonë të korruptuar dhe kriminale, heretiku kosovar është i kurthuar fatalisht. E vetmja gjë që i mbetet është ta mbyllë gojën dhe të bindet. (Tirania brina s’ka!)”, thotë Apolloni në një nga esetë e këtij libri autobiografik, i cili analizon shoqërinë tonë nga një perspektivë filozofike.

“Mesjeta ime” është një vepër që nuk flet për Mesjetën e largët, por që tregon se ne sapo kemi hyrë në një Mesjetë të re. 

Ag Apolloni (1982) është autor i librave të njohur si: “Ulurima e Ujkut”, “Zazen”, “Hamleti simbas Horacit” etj. Gjithashtu, është profesor i letërsisë në Universitetin e Prishtinës.