Një humbje e pakthyeshme e madhështisë së vërtetë

Një humbje e pakthyeshme e madhështisë së vërtetë

Kultura August 13, 2019 - 09:41
Lexo më shumë detaje

 

Jahja Drancolli

Ka ndërruar jetë Radoslav Katiçiç, një ndër kroatologët dhe ilirologët më të shquar të botës. Në një vepër monumentale të tij rëndësi të veçantë i ka kushtuar gjuhëve paleoballkanike, sidomos të ilirishtes dhe në këtë kontekst edhe të gjuhës shqipe për të konstatuar se shqipja rrjedh nga ilirishtja.

Katiëië është bërë i njohur me studimet e tij në fushën e filologjisë klasike, bizantine dhe të onomastikës ilire, duke zgjeruar më pastaj edhe në fushën e tij të studimit indoevropian, përkatësisht atë paleoballkanik. Ai ishte anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kroacisë, Akademisë Austriake të Shkencave, Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Bosnjë dhe Hercegovinës, si dhe të Akademisë Norvegjeze. Katiçiç ka lindur në Zagreb më 1930, ku dhe nisi karrierën e tij shkencore (Fakulteti Filozofik). Këtu punoi nga 1954 deri në 1977, ku filloi të ligjëronte sistematikisht gjuhësinë sanskrite dhe paleoballkanike dhe më vonë krahasuese indoevropiane. Që nga viti 1977 ka qenë profesor i filologjisë paleoballkanike në Universitetin e Vjenës. Profesor Katiçiç ishte autor i pesëmbëdhjetë librave dhe i 400 diskutimeve, artikujve, eseve, recensave të librave dhe të punimeve të tjera. Punimet më të rëndësishme të tij nga fusha e albanologjisë janë: “Ancient Languages Of The Balkans” (The Hague-Paris: Mouton, 1976, dhe reprint 2012: Walter de Gruyter, Bestsellers Rank). Në këtë vepër monumentale rëndësi të veçantë i ka kushtuar ilirishtes dhe në këtë kontekst edhe të gjuhës shqipe për të konstatuar se shqipja rrjedh nga ilirishtja, çështje kjo që trajtohet në këto kapituj: “The Pre-Greek linguistic stratum” (faqe, 39-97), “Epirus” (120-127), “The Illyrian complex” (154-177), “Recent studies in Illyrian anthroponymy” (178-183), “The origin of Albanian” (184-189). Ndërsa në kapitullin kushtuar origjinës shqipe është shprehur: “Asgjë në natyrën e provës nuk është paraqitur deri më tash për prejardhjen trakase të gjuhës shqipe, por vetëm akumulim indiciesh që, pa e vendosur çështjen, na ndalojnë ta hedhim poshtë krejtësisht hipotezën. E vetmja gjë që mund të bëjmë tash është të jemi mendjehapur duke mbajtur mend në këtë kontraverzë se barra e provës u bie atyre që mohojnë prejardhjen ilire të shqipes”.

Në veprën tjetër me titull “Illryricum Mythologicum” (Zagreb, botim i shtëpisë botuese “Antibarbarius”, 1995), arealin ilir e kishte ndarë në zonë liburne, panone dhe ilire të mirëfilltë (Illyri proprie dicti). Në këtë vepër voluminoze (482 faqesh), të cilën ndonjë studiues i nivelit botëror do ta quante për vazhduese të denjë të veprës së Farlatit, “Illyricum sacrum”, autori i qaset problemeve qendrore të ilirologjisë siç janë: Zona e Danubit dhe e Adriatiku sipas epit të Apollonit nga ishulli Rod; Illyricus fluvius; Jonit Ilir; Ishujve liburnian sipas autorëve antikë; Illyro-Apenninica; Enkelejëve; Antenori-t në Adriatik; Diomedi-t në Adriatik; Hili-t, birit t Heraklit në Adriatik; Kerkira-s, bijës së Azopit në Korçullë, etj. Tërheqë vëmendjen këtu sidomos studimi kushtuar Jonit Ilir, ku autori duke iu referuar Strabonit dhe Apianit, burime të rëndësishme të antikitetit tregon se Deti Jon e ka marrë këtë emër sipas ishullit ilir Isa (Vis) në Dalmaci (Straboni), ndërsa sipas Apianit, Epidamno-is (Durrësi) është quajtur sipas emrit të mbretit ilir Epidamnos. Në këtë kontekst e shpjegon dhe emrin e Detit Jon (Ionio), që vjen nga emri i mbretit ilir Dyrrhachium (Durrësit), nipit të Epidamnit. Gjithnjë duke iu referuar burimeve në fjalë, mësojmë se Dyrrhachium pasi ishte sulmuar prej vëllezërve të tij, bëri marrëveshje me Herkulin i cili aksidentalisht vrau Jonin, vëllain e Dyrrhachium-it, për ta hedhur trupin e tij në det dhe për ta quajtur sipas emrit të tij, Deti Jon. Së këtejmi, Katiçiç ka konstatuar se Joni është ilir, ndërsa kolonizuesit grekë i adhuronin jo vetëm emrat e shquar ilirë, por edhe pellazgë. Përveç veprave që u përmendën më sipër, Katiçiç është shquar edhe me disa studime, ese dhe diskutime që i referohen albanologjisë. Në këtë aspekt po i veçojmë: “Drei altbalkanische Nomina sacra”, Godišnjak, CBI, 7/1972, dhe “Die Sprachen im Römichen Reich der Kaiserzeit”. Në “Recherches albanologique 1” (1985). Katiçiç është shquar edhe për lidhjet e tij me Shqipërinë dhe në veçanti me studiuesit shqiptarë nga Kosova. Gazeta Zëri //