Vdes në moshën 91-vjeçare kompozitori Ennio Morricone

Vdes në moshën 91-vjeçare kompozitori Ennio Morricone

Kultura July 06, 2020 - 11:03

Ennio Morricone, kompozitori i famshëm italian, simfonitë e të cilit u shfrytëzuan për shumë filma, nga ata romantikë e deri te filmat triller dhe sci-fi, ka vdekur në moshën 91-vjeçare.

Morricone kishte thyer femurin e tij ditë më parë dhe vdiq gjatë natës së mbrëmshme në një klinikë në Romë. Vdekjen e tij e konfirmoi avokati i tij, Giorgio Assumma, shkruan “The Guardian”, transmeton “Zeri.info”.

Kompozitori italian ishte autor i tingujve më të bukur të kinemasë italiane dhe botërore, në filma të tillë si “Malena”, “Per un pugno di dollari”, “C'era una volta in America” ose dhe “Nuovo cinema Paradiso”.

I lindur në Romë në vitin 1928, Morricone e kapi trumbetën e tij dhe shkroi kompozimin e tij të parë në moshën gjashtëvjeçare.

Ai studioi muzikën klasike dhe pas diplomimit filloi të shkruajë vepra për teatër dhe radio. Ai u punësua si aranzhues në kompaninë RCA në Itali dhe gjithashtu filloi të shkruante për pop-artistët; këngët e tij u bënë hite për Paul Ankan, Françoise Hardyn dhe Demis Roussosin, ndërsa ai më vonë bashkëpunoi edhe me “Pet Shop Boys”. Ai gjithashtu i theu kufijtë dhe bëri vepra avangarde me “Gruppo di Improvvisazione di Nuova Consonanza”, një kolektiv i kompozitorëve eksperimentalë e improvizues.

Veprat e Morricones ishin një ndikim i qartë edhe për Quentin Tarantinon, i cili e punësoi atë për filmin e tij vestern “Hateful Eight”. Me këtë Morricone fitoi “Oscar”-in e tij të parë, përveç çmimit të tij të arritjeve jetësore. Tarantino gjithashtu përdori muzikën e tij edhe në “Kill Bill”, “Inglourious Basterds” dhe “Django Unchained”.

Ai shpesh i përsëriste nëpër turne veprat kryesore nga katalogu i tij. Ai shiti më shumë se 70 milionë albume, dhe, përveç dy çmimeve “Oscar”, fitoi edhe katër çmime “Grammy” dhe gjashtë BAFTA, shkruan “The Guardian” dhe transmeton “Zeri.info”.