Lidhja mes shëndetit oral dhe shëndetit të përgjithshëm

Lidhja mes shëndetit oral dhe shëndetit të përgjithshëm

Shëndetësi July 07, 2026 - 10:39
Shkruan: Dr. Aron Kelmendi PhD(c)

Kur flasim për shëndetin oral, shumica mendojnë për kariesin ose erën e keqe nga goja. Por shkenca na tregon se goja është pjesë integrale e organizmit. Ajo nuk është e ndarë nga pjesa tjetër e trupit. Shumë sëmundje sistemike shfaqin shenjat e para në gojë, ndërsa inflamacioni dhe infeksionet orale mund të ndikojnë në shëndetin e përgjithshëm. Prandaj, kujdesi për gojën nuk ka të bëjë vetëm me estetikën, por me shëndetin në tërësi.

Goja si pasqyrë e organizmit

Dentisti shpesh është profesionisti i parë që vëren shenja të sëmundjeve sistemike.

Në gojë mund të shfaqen shenja të:

  • diabetit
  • anemisë
  • mungesës së vitaminës B12 ose hekurit
  • sëmundjeve autoimune
  • çrregullimeve hematologjike
  • infeksioneve virale ose fungale

Prandaj një kontroll rutinë dentar ndonjëherë mund të çojë në diagnostikimin e hershëm të një sëmundjeje të përgjithshme.

Periodontiti – më shumë se një problem i mishrave të dhëmbit

Kjo është sëmundja orale me lidhjen më të fortë shkencore me organizmin. Periodontiti është një inflamacion kronik i indeve që mbështesin dhëmbin.

Kur mishrat janë të inflamuar:

  • Bakteret orale dhe toksinat e tyre mund të kalojnë përkohësisht në qarkullimin e gjakut, duke rritur ngarkesën inflamatore të organizmit.

Diabeti – marrëdhënia dykahëshe

Diabeti, në njërën anë:

  • e dobëson përgjigjen imunitare
  • favorizon inflamacionin
  • rrit rrezikun për periodontit

Nga ana tjetër, periodontiti rrit inflamacionin kronik dhe vështirëson kontrollin e glikemisë.

Sëmundjet kardiovaskulare

Studime të shumta kanë gjetur lidhje midis periodontitit dhe:

  • aterosklerozës
  • infarktit të miokardit
  • insultit cerebral

Mekanizmi i propozuar përfshin:

  • inflamacion kronik
  • dëmtim të endotelit

në disa raste prani të baktereve orale në pllakat aterosklerotike

Parandalimi

Lajmi i mirë është se shumica e sëmundjeve orale mund të parandalohen.

Kjo përfshin:

  • larjen e dhëmbëve të paktën dy herë në ditë
  • përdorimin e fillit dentar ose furçave interdentare
  • reduktimin e sheqernave
  • mospirjen e duhanit
  • kontrollet periodike çdo 6 muaj ose sipas nevojës.

“Një gojë e shëndetshme nuk do të thotë vetëm buzëqeshje e bukur, por edhe më pak inflamacion, më pak infeksione dhe një kontribut i rëndësishëm në mirëqenien e përgjithshme. Prandaj, vizita te dentisti nuk duhet të bëhet vetëm kur kemi dhimbje, por duhet të jetë pjesë e kujdesit të rregullt për shëndetin”.

Image
Dr. Aron Kelmendi