Ramush Haradinaj dhe Anita: Jeta jonë mes sfidash

Showbiz May 19, 2017 - 18:38

Për herë të parë, ish-Kryeministri i Kosovës, aktualisht kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj shfaqet në një studio televizive së bashku me bashkëshorten e tij Anitën në “Pasdite në Top Channel”.

Fillimisht, Haradinaj u pyet për ndalimin në Francë dhe se si e përjetoi ai, por dhe familja e tij.

“Jemi të gëzuar që jemi bashkuar sërish. Koha është ajo që na mungon sepse obligimet i kemi të shumta. Unë jam i pastër para ligjit në Kosovë dhe ligjit ndërkombëtar. Nuk e mendoja se si do të reagonin shqiptarët. Më ka ardhur shumë keq për familjen sepse kjo që ndodhi për mua ka qenë e rëndë për të gjithë familjen, por mbi të gjitha për fëmijët, pasi e kanë përjetuar shumë”, u shpreh Haradinaj.

Ndërkohë Anita shprehet se ajo që iku nuk kthehet më, por duhet shikuar të ecësh përpara, thotë ajo.

“Rikuperimi i kohës është shumë i rëndësishëm. Ajo që iku nuk kthehet më, por e mira është që të gjejmë vullnetin dhe të ecim përpara. Sfidat të forcojnë edhe më shumë. Fëmijët dua ti kursejë me këto ngjarje. Djali i madh ishte më ndryshe, ndërsa dy fëmijët e vegjël ishin më të qetë kur Ramushi u kthye”, thotë Anita.

Ramush Haradinaj flet më pas për momentet kur ai u la i lirë nga Franca, ku thotë se ka mbetur i befasuar nga pritja e mijëra shqiptarëve. “Me mijëra njerëz më kanë pritur nga çdo pjesë e atëdheut tonë. Ata e mendonin si mungesë respekti nëse nuk prezantoheshin nga vinin. Francezët u habitën me numrin e madh të njerëzve. E kisha menduar të vija edhe në Tiranë për të falenderuar shqiptarët, por nuk munda ta bëja këtë”, tregon ish-kryeministri i Kosovës.