Ja nga sa mijëra euro do t'i marrin klubet e suksesshme kosovare!

Sport August 18, 2016 - 20:26

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) i ka gëzuar klubet kosovare. Përveç shumës prej 10 mijë eurosh që do t’i marrin për dhënien e të drejtave televizive, dhe shpërblimeve që i jep UEFA për klubet më të suksesshme, skuadrat kosovare do ta kenë një motiv shtesë për të luftuar për trofe këtë edicion, shkruan Zëri.

Në fakt, drejtuesit e FFK-së kanë njoftuar të enjten, në një konferencë për shtyp, se pesë skuadrat e para të Superligës do të shpërblehen nga shtëpia e futbollit kosovar, varësisht prej pozitës në të cilën do ta mbyllin sezonin 2016/17.

“Nga arritja e marrëveshjes me sponsorin e Superligës, pritet që të hyrat e këtyre parave t’u ndahen klubeve nga vendi i parë e deri te i pesti”, deklaroi kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri.

Kampioni i Kosovës, sipas FFK-së, do t’i fitojë 35 mijë euro, ndërsa vendi i dytë do të shpërblehet me 20 mijë euro. Vendi i tretë i merr 15 euro, i katërti 10 mijë euro dhe i pesti, 5 mijë euro. Ndërkohë, tash e tutje, Superliga do të quhet Vala Superliga e Kosovës. /Zëri/