Shkëndija me kokën lartë, shpresat e kualifikimit në Shkup

Sport August 18, 2016 - 22:39

Shkëndija ka pësuar humbje në Belgjikë nga Genti me rezultat 2:1, në ndeshjen e parë të “Play-Offit” të Europa Leagues, e cila u zhvillua sonte.

Skuadra tetovare e ka bërë një lojë mjaft të mirë, duke rrezikuar disa herë dhe duke e kontrolluar lojën kohë pas kohe.

Image

Madje, Shkëndija ka kaluar e para në avantazh në minutën e nëntë përmes Besart Ibraimit, i cili shënoi një gol fantastik nga gjuajtja e lirë.

Mirëpo, minutat e fundit të të dyja pjesëve ishin fatale për skuadrën Kuq e Zi. Në fakt, vendësit e kanë barazuar rezultatin në minutën e fundit të pjesës së parë me anë të Thomas Matton.

Image

Në pjesën e dytë tetovarët u paraqitën mjaft mirë, por ishin prapë të pafat, duke pësuar gol në minutat shtesë, pasi vendësit e realizuan golin e fitores me anë të Kalifa Coulibaly.

Sidoqoftë, futbollistët e Shkëndijës dolën nga fusha me kokën lartë, pasi paraqitja e tyre ishte mjaft pozitive dhe jep shpresë që Ferhan Hasani me shokë ta kërkojnë përmbysjen e disavantazhit në ndeshjen e kthimit, e cila do të zhvillohet pas një jave në Shkup.

Image

E për ta realizuar këtë, tetovarët do ta kenë një motiv shtesë pasi pronari i klubit, Lazim Destani, ua ka premtuar gjysmë milioni euro, nëse e eliminojnë Gentin dhe kualifikohen në fazën e grupeve të Europa Leagues.

Remzi Ejupi nuk mungoi as në Gent

Përveç tifozëve të zjarrtë “Ballistët”, të cilët as në Belgjikë nuk i munguan Shkëndijës, në Gent ka udhëtuar edhe presidenti i FC Prishtina, Remzi Ejupi, i cili rrallë ndodhë t’ju mungojë ndeshjeve të ekipit tetovar. Ejupi ndeshjen e ka përcjellë nga tribuna VIP, bashkë me pronarin e klubit tetovar, Lazim Destani, dhe nikoqirët belgë.

Gjithashtu, tifozët tetovarë “Ballistët”, të cilët ishin në numër të madh, kanë krijuar atmosferë të shkëlqyer në stadium, në përkrahje të skuadrës së tyre të zemrës. /Zëri/

Image