Real Madrid, fitorja e parë në sezonin e ri në La Ligë (VIDEO)

Sport August 21, 2016 - 22:04

Real Madrid iu përgjigj fitores së Barcelonës ndaj Real Betisit duke mposhtur Real Sociedadin me rezultat 3:0.

Ekipi i trajnerit Zinedine Zidane u paraqit pa disa prej futbollistëve më të mirë përfshirë Cristiano Ronaldo, Karim Benzema, Pepe e portierin e parë, Keylor Navas.

Por, prapë pa problem shënuan fitoren e parë në sezonin e ri. “Los Blancos” kaluan në epërsi pas më pak se dy minutash lojë kur pas asistimit nga krahu i djathtë nga Dani Carvajal, Gareth Bale u ngrit në ajër dhe realizoi gol të bukur me kokë.

Kurse, pak para përfundimit të pjesës së parë, Marco Asensio e dyfishoi avantazhin e mysafirëve.

Pas intervalit, Zidane inkuadroi në lojë Lucas Vazquez he dyshen e shumëpërfolur për largim nga Santiago Bernabeu, Isco e James Rodriguez, por nuk pati më ndryshim të rezultatit.

“Los Blancos” e administruan mirë lojën duke e shtuar edhe një gol në shtesë nga Bale dhe morën tri pikët e para në edicionin e ri duke iu përgjigjur Barcelonën që të shtunën po ashtu fitoi, por me rezultat të thellë 6:2.