Shkëndija largohet faqebardhë nga Evropa

Sport August 25, 2016 - 21:50

Ëndrra dhe dëshira e madhe e Shkëndijës dhe shqiptarëve fatkeqësisht nuk është realizuar. Skuadra e madhe shqiptare nga Maqedonia nuk ka arritur të kualifikohet në fazën e grupeve të Europa Leagues, përkundër përpjekjes së madhe. Mirëpo, tetovarët janë eliminuar faqebardhë nga Evropa, raporton "Zëri"

Është Genti ai i cili u kualifikua në Europa League, pasi doli më i mirë nga dy përballjet me Shkëndijën. Pas fitores prej 2:1 në ndeshjen e parë të “Play-Off-it”, ekipi belg fitoi me rezultat 4:0 edhe në ndeshjen kthyese që u zhvillua të enjten në Shkup, në stadiumin “Filipi i Dytë”, i cili ishte veshur kuq e zi, dhe i mbushur plotë me tifozë shqiptarë jo vetëm nga Maqedonia, por edhe nga Kosova, Shqipëria dhe trevat tjera shqiptare.

Përkrahja e madhe e tifozëve e bëri shumë të fortë Shkëndijën, e cila tregoi lojë të një niveli të lartë, por përkundër kësaj nuk fitoi, por humbi.

Pjesa e parë e lojës ishte shumë dinamike. Të dyja skuadrat krijuan raste të shumta e të mira shënimi, por nuk arrinin t’i finalizonin në portë. Shkëndija luajti me zemër dhe e dëshmoi edhe njëherë se është klubi më i madh aktualisht shqiptar.

Shkëndija edhe pjesën e dytë e nisi në kërkim të kualifikimit, sikurse Genti, i cili kaloi në epërsi prej 1:0 në minutën e 60-të, Kalifa Coulibaly. Ky gol ndikoi keq te Shkëndija, e cila sikur i humbi shpresat. Kjo bëri që pas nëntë minutave kuqezinjtë ta pësojnë edhe golin e dytë, të cilin e realizoi i njëjti futbollist, Kalifa Coulibaly.

Kjo bëri që niveli i lojës të pësoi rënie – Shkëndija e dorëzuar nuk ishte më në gjendje t’i bëjë trysni adekuate Gentit, i cili i qetë kontrolloi epërsinë, madje e shënoi edhe dy gola në minutën e 81-të dhe 86-të përmes Perbet dhe Netos, duke shkuar në Europa League. Kurse, Shkëndijës i mbetet krenaria për të arriturën e madhe të deritanishme dhe kuraja për t’u rritur akoma më shumë, sepse është në rrugë fantastike.

Klubi kuqezi viteve të fundit është rritur, është bërë evropian falë investimeve dhe menaxhimit superior nga kompania gjigante shqiptare “Ecolog” dhe pronari i saj Lazim Destani. Investimet e tij e kanë bërë Shkëndijën evropiane dhe modele për çdo klub tjetër shqiptar, dhe jo vetëm. Para pak vitesh, Shkëndija ishte pranë humnerës, por Destani dhe “Ecologu” i tij e kishin marrë në konsideratë lutjen e tifozëve, duke i dalë në ndihmë Shkëndijës për ta sjell në nivelin e sotëm. 

Rusët eliminojnë Partizanin

Me eliminimin e Shkëndijës, janë eliminuar të gjitha klubet shqiptare. Pas humbjes 4:0 në Rusi nga Krasnodar, Partizani pa shpresa e ka pritur takimin kthyes ndaj rusëve. Këta të fundit e nxorën të enjten një barazim pa gola si mysafirë të Partizanit, për të shkuar në Europa League.