Gjimshiti lë Atalantan, shkon te skuadra që po e kërkon që tre vite

Sport August 29, 2016 - 21:17

Berat Gjimshiti është shumë pranë firmës me Avelinon, një ekip i Serisë B italiane ku do të ketë mundësinë të aktivizohet rregullisht dhe të tregojë vlerat e tij.

Për këtë janë të bindur plotësisht në Itali, ku mediat vendase kanë intervistuar Paolo Tramezanin, për të zbërthyer karakteristikat e këtij futbollisti i cili nuk gjeti hapësira te Atalanta.

“Ai është një lojtar shumë i fortë fizikisht dhe në lojën një kundër një. Ka hapësira të mëdha përmirësimi dhe duke u gjendur në një kampionat më të përshtatshëm për të, mund të rritet në mënyrë të ndjeshme. Ai ka edhe shumë eksperiencë ndërkombëtare, pasi para se t’i bashkohej Shqipërisë ishte pjesë e kombëtareve të moshave të Zvicrës”, deklaroi Tramezani, shkruan PanormaSport, përcjell Lajmi.net.

Ndërkohë, mediat italiane kanë zbuluar se kjo nuk është hera e parë kur Gjimshiti ka qenë pranë firmës me Avelinon.

Në vitin 2013, drejtuesit e klubit në fjalë e monitoruan nga afër dhe kishin kontakte me mbrojtësin, i cili luante asokohe me kombëtaren U-21 të Zvicrës, por në fund zgjodhën Saulo Dekarli.

Gazeta “Il Mattino” bën të ditur se Atalanta ka besim të plotë te aftësitë e futbollistit dhe shpërthimi i tij në të ardhmen, ndaj nuk do të shesë lojtarin, por do ta japë atë në huazim për një sezon.