Lajçi në podiumin e fituesve në Slloveni

Sport September 04, 2016 - 20:10

Shkëlzen Lajçi është renditur në pozitën e tretë në garën e zhvilluar në Ilirska Bistricë të Sllovenisë, e cila ishte e 11-ta me radhë në diciplinën malore, e vlefshme për Kampionatin Evropian.

Një rezultat i tillë është sukses shumë i madh për Lajçin dhe automobilizmin kosovar në përgjithësi, duke marrë parasysh konkurrencën e jashtëzakonshme, me garues nga një numër i madh i shteteve evropiane.

Në fakt Lajçi edhe para nisjes për në Slloveni ishte shprehur optimist se do të gjindet në podiumin e fituesve.

“Sigurisht që po ndihem mirë, jo vetëm unë, por e gjithë skuadra. Ka qenë një garë shumë e fortë, mirëpo, ashtu siç pata deklaruar edhe në Prishtinë, unë kam qenë optimist se do të arrij rezultat të mirë dhe për fat të mirë ia dola. Kemi mësuar shumë nga kjo garë dhe besoj se në të ardhmen do të kemi rezultate edhe më të mira”, ka thënë Lajçi pak kohë pas suksesit të arritur.

Lajçi në Ilirska Bistricë është paraqitur në Grupin N +3000 me veturën e tij Mitsubishi Evo 9 dhe pas dy vozitjeve ka pasur kohën prej 05:11 87 minuta.

Në grupin e tij kanë marrë pjesë rreth 30 garues, gjë që e bën edhe më të vlefshëm rezultatin e tij. Më të shpejtë se ai kanë qenë serbi Nikola Milkoviç dhe sllovku Tomas Vavrinec.

Në garë për pikë mori pjesë edhe Valdet Krasniqi me Subaru, por për shkak të karakteristikave të veturës, ai u paraqit në një klasë ku pati makina shumë më të mira. Megjithatë, edhe ai la përshtypje mjaft të mirë.