A e dini sa shumë vite kanë kaluar nga fitorja e fundit e Shqipërisë ndaj Maqedonisë

Sport September 04, 2016 - 21:22

Maqedonia mund të konsiderohet pa frikë si një nga rivalët e kthyer në makth për Kombëtaren Shqiptare.

Kuqezinjtë kanë një bilanc negativ me maqedonasit, pasi në tetë takime të luajtura, duke filluar nga i pari, në vitin 1994, e deri tek i fundit, në vitin 2011, kanë arritur vetëm një fitore, ndërsa kanë pësuar katër humbje dhe tri ndeshje të tjera kanë përfunduar në barazim.

Plot 17 vite ka Shqipëria që nga fitorja e fundit me Maqedoninë, kur më 10 shkurt 1999, në stadiumin “Qemal Stafa”, kuqezinjtë e drejtuar nga Astrit Hafizi ia dilnin falë golave të Rudi Vatës dhe Erjon Bogdanit.

Ky i fundit, i cili është kryegolashënues i Kombëtares, në të vetmen fitore me Maqedoninë, gjente golin e parë me fanellën kuqezi.