Zvicra, leksion për Portugalinë (VIDEO)

Sport September 06, 2016 - 22:37

Zvicra e filloi në mënyrën më të mirë të mundshme fillimin e ciklit të kualifikimeve për “Kampionatin botëror 2018” në Rusi.

Me katër futbollistë shqiptarë në formacionin bazë, Granit Xhaka, Valon Behrami, Blerim Xhemaili e Admir Mehmedi, ekipi helvetik mposhti kampionin e “Euro 2016”, Portugalinë, me rezultat 2:0, në kuadër të Grupit B.

I inkuadruari në formacionin bazë në vend të Xherdan Shaqirit të lënduar, Breel Embolo kaloi Zvicrën në epërsi me golin e tij në minutën e 24-të. Kurse, vetëm pesë minuta më vonë, Mehmedi shënoi një gol të bukur duke dyfishuar epërsinë e vendasve.

Portugalia vuajti shumë në sulm në mungesë të kapitenit Cristiano Ronaldo, i cili ende nuk është rikuperuar nga lëndimi i pësuar në finalen e “Euro 2016” kundër Francës. Nani ishte afër të realizonte në minutat e fundit, por goditja e tij me kokë u ndal nga shtylla.

Kurse, minutat shtesë të ndeshjes ishin fatkeqe për Xhakën i cili u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua nga loja. Ekipi i selektorit Vladimir Petkovic bindi me lojë dhe mori tri pikë të vlefshme në fillimin e rrugëtimit për në “Botërorin 2018”.

Xhaka e Behrami bënë paraqitjen e parë pas lajmit se refuzuan përpjekjet e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), për inkuadrimin e tyre në Përfaqësuesen e Kosovës. 


Super goal Switzerland 2-0 Portugal Mehmedi A... by All_sport