Bersant Celina e ka gjetur lumturinë në Holandë

Sport September 18, 2016 - 20:36

Bersant Celina e ka gjetur lumturinë në Holandë. Futbollisti kosovar po shkëlqen në fanellën e Twentes, ku është huazuar nga Manchester City për një sezon, raporton Zëri.

Ylli i Përfaqësueses së Kosovës ka realizuar dy gola me ekipin holandez prej se u transferua atje, ndërsa të dytin e realizoi në kampionatin holandez Eredivisie, të shtunën që shkoi.

Celina e ka shfrytëzuar si është më së miri huazimin, ku do të ketë më shumë hapësira, për t’u përgatitur për sfidat e reja që e presin në Premierligë në të ardhmen.

“Dy gola në dy ndeshje, kjo është diçka mjaft e mirë. Mirëpo, kam mundur të shënoja më shumë, kështu që në përgjithësi jam i kënaqur”, ka thënë për “Nettavisen” Celina, pas fitores 4:1 të Twentes ndaj Den Haag, përcjellë Zëri.

“Ishte një ndeshje mjaft e mirë. E kemi aplikuar mirë planin tonë dhe kemi bërë lojë të bukur. Kemi fituar me meritë”, nënvizoi ai. Futbollisti i lindur dhe rritur në Norvegji thotë se ndihet mirë në Holandë.

“Ndihem i mirëseardhur në këtë klub dhe ndiej se të gjithë më mbështesin. Javët e para këtu kanë qenë fantastike”, përfundoi Celina. /Zëri/