Lorik Cana merr një ofertë nga Italia

Sport September 19, 2016 - 19:59

Lorik Cana nuk ka vendosur ende kur dhe ku do ta vazhdojë karrierën e tij futbollistike pas pushimit të gjatë që ai ka filluar që nga mbyllja e Euro 2016.

Por ish-kapitenit të përfaqësueses shqiptare nuk i mungojnë ofertat, edhe nga klube me emër të cilat luajnë në kampionate të forta.

Sipas mediave italiane, ndonëse lojtari ka disa muaj larg fushave të blerta, për të ka filluar të interesohet konkretisht një skuadër e Serisë A, në të cilën ai mund të gjejë disa bashkëkombës të tij.

Bëhet fjalë për Peskarën, klub i cili ka probleme në prapavijë për shkak dëmtimesh të ndryshme e si rrjedhojë i duhen sa më parë përforcime për të përballuar këtë sezon, pa pritur merkaton e janarit. Për këtë arsye, po vëzhgohet me interes tregu i lojtarëve me parametër zero.

Klubit i janë ofruar disa lojtarë nga menaxherë të ndryshëm, mes të cilëve Diakite dhe Sol Bamba. Por drejtuesit i tërheq ideja që të afrojnë Canën, një lojtar me shumë eksperiencë, të cilit mund t’i ofrohet mundësia për një eksperiencë të fundit në futbollin e rëndësishëm.

Zërat për mbrojtësin shqiptar dhe interesimin e Peskarës u përhapën që në fillimin e këtij muaji. Por fakti që ato janë kthyer në ditën e fundit, mund të jetë një sinjal se diçka po lëviz drejt një marrëveshje të mundshme, shkruan Panoramasport.

Informacionet për Canën te Peskara nuk mungojnë, pasi në radhët e kësaj skuadre ka disa shqiptarë, duke filluar nga kapiteni Ledian Memushaj, për të vazhduar me Rei Manajn e të riun Leonardo Maloku.

Megjithatë, mbetet të shihet se çfarë vendimi do të marrë Cana, i cili gjatë javëve të kaluara ka refuzuar disa oferta nga klube franceze apo zvicerane. Ai ka lënë të kuptohet se dëshiron të kthehet përsëri në futbollin e luajtur, por mendohet se do të zgjedhë të mbyllë karrierën në një prej kampionateve aziatikë apo në SHBA.