Kosova, eksperiencë e shkëlqyer për basketbollistin amerikan

Sport September 22, 2016 - 20:39

Justin Doellman e ka konsideruar si të shkëlqyer eksperiencën me Përfaqësuesen e Kosovës. Amerikani e përfaqësoi vendin tonë në kualifikimet për “Eurobasket 2017” dhe thotë se kjo përvojë do t’i shërbejë për të ardhmen.

“Jam në formë të mirë fizike. Kam luajtur për Kosovën dhe ishte një mundësi e mirë për mua. Tash kam ardhur këtu në Barcelonë për t’u përgatitur për sezonin e ri, i cili shpresoj të jetë pozitiv”, ka thënë ylli i Barcelonës për uebfaqen spanjolle “Sport.es”, përcjellë Zëri.

“Për mua ishte më mirë të shkoja të luaja për Kosovën, edhe pse kam humbur gjëra të rëndësishme me bashkëlojtarët e Barcelonës në fazën përgatitore, por shpresoj që ta kap hapin sa më shpejt të jetë e mundur”, vazhdoi ai.

Ndër të tjera, amerikani nuk ka dashur ta komentojë faktin se Këshilli Sportiv Spanjoll nuk ia njeh pasaportën kosovare, raporton Zëri.

“Unë luajta për Kosovën pasi dëshiroja të isha i gatshëm për sezonin e ri me Barcelonën. Do të shohim se çka do të ndodhë me pasaportën. Nuk e di nëse do të luaj më për Kosovën”, përfundoi Doellman, i cili shtoi se fakti që luajti për Kosovën ishte një mundësi e mirë për të luajtur në kompeticione ndërkombëtare. /Zëri/