Ekipi i Rumanisë plaçkitet në Kazakistan

Sport October 12, 2016 - 13:59

Futbollistët e Rumanisë janë ankuar se para dhe gjësende personale u janë vjedhur nga dhomat e hotelit para duelit me Kazakistanit në eliminatoret e “Kampionatit botëror 2018”, të mërkurën.

“Ne nuk kemi gjetur se kush i vodhi paratë dhe gjithë ato gjësende”, deklaroi Andrei Vochin, këshilltar personal i presidentit të Federatës së Futbollit të Rumanisë, Razvan Burleanu, për “DolceSport TV”, pas barazimit pa gola në Grupin E në Astana, përcjell "Zëri.info".

“Si do qoftë, nuk kemi shumë shpresë”, shtoi ai, duke theksuar se hajdutë të paidentifikuar kanë depërtuar në dhomat e futbollistëve derisa ata ishin në stërvitje.

Së paku 12 futbollistë janë ankuar se u kanë munguar para ndërsa masazhisti i ekipit ka theksuar se i është marrë një pajisje. Rumania është e treta në grup me pesë pikë nga tri ndeshje, dy më pak se lideri Mali i Zi. Kazakistani është i pesti, me dy pikë.