EURO 2020: Kosova mposhtet nga Turqia

Sport November 02, 2016 - 19:43

Përfaqësuesja e Kosovës e ka nisur me humbje eksperiencën në kualifikimet për Kampionatin Evropian 2020. Skuadra e drejtuar nga Taip Ramadani ka pësuar humbje me rezultat 26:22, në ndeshjen e zhvilluar sonte në Ankara.

Turqit hynë në parket si favoritë të pastër, duke fituar pa ndonjë problem të madh, shkruan Zeri.info.

Ata e morën rolin e liderit shpejt, duke udhëhequr 4:2 në 10 minutat e parë, ndërsa e ngritën avantazhin e tyre në vazhdim të lojës.

Ata e mbyllën pjesën e parë me pesë gola dallim, 13:8. Hendbollisti i Besiktasit, Ramazan Done, i cili kishte realizuar 27 gola në pesë ndeshje këtë edicion në Velux EHF Champions League, ka qenë i qetë, por punën e kanë kryer shokët e tij.

Vendësit në minutën e 40-të e kanë ngritur epërsinë deri në 7 gola, 18:11, ndërsa Done i kishte shënuar vetëm tre nga ta.

Nga ana tjetër, kosovarët hasnin në vështirësi për ta gjetur golin, ne një ndeshje që dukej e vendosur në atë minutë, raporton Zeri.info.

Epërsia 7 golëshe e turqve mbeti deri në 10 minutat e fundit, ndërsa në fund mysafirët nga Kosova shënuan disa herë për ta zbutur disavantazhin, derisa vendësit dukeshin më të relaksuar.

Turqia e bëri një hap përpara drejt kualifikimit në Euro 2020, në të cilin do të kualifikohen 24 ekipe. Këto dy skuadra do të përballen në mes vete përsëri të dielën në Prishtinë, në ndeshjen e kthimit të fazës së grupeve të këtij evenimenti.

Kosovarët do ta tentojnë mrekullinë ndaj turqve në praninë e shikuesve të tyre këtë fundjavë. /Zëri/