Mustafa shpreh përkushtimin e Qeverisë për përkrahjen e sportistëve kosovarë

Sport November 05, 2016 - 23:48

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim përfaqësuesit e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe Federatave Ndërkombëtare si dhe mori pjesë në ceremoninë e shënimit të dy vjetorit të pranimit të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (KON).

Gjatë takimit me delegacionin e KON-it të kryesuar nga Ching Kuo Wu, i cili është edhe president i Federatës Ndërkombëtare të Boksit (AIBA), kryeministri Mustafa e ka falënderuar për përkrahjen e jashtëzakonshme të KON-it për Kosovën duke theksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për mbështetjen e sportit Kosovar. 

Të pranishëm në takim ishin edhe ministri I  Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, fituesja e Medaljes së Artë në olimpiadën e Rios, Majlinda Kelmendi, kryetari i KOK-ut, Besim Hasani e zyrtarë të tjerë të sportit vendor e ndërkombëtar. 

Gjatë takimit u bisedua edhe për avancimin e mëtejmë të sportit në Kosovë si dhe për motivimin që ekziston te të rinjtë e Kosovës pas Medaljes së Artë të fituar nga Majlinda Kelmendi në olimpiadën e Rios.

Përfaqësuesi i KON-it, Ching Kuo Wu, shprehu përkrahjen e mëtejme për sportet kosovare duke e vlerësuar përkushtimin e shtetit të Kosovës në këtë drejtim. 

Ndërkaq, gjatë ceremonisë së shënimit të dy vjetorit të pranimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, kryeministri Mustafa  ka përshëndetur të pranishmit duke i falënderuar përfaqësuesit e KON-it për sportin në Republikën e Kosovës. 

Kryeministri Isa Mustafa tha se pa përkrahjen e tyre, Kosova nuk do të mund të merrte pjesë në lojërat olimpike ku shpalosi vlerat e saj duke arritur edhe fitoren e Medaljes së Artë nga Majlinda Kelmendi. 

Kryeministri Mustafa, po ashtu, shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës që të krijojë infrastrukturë sportive dhe hapësirën e nevojshme që sportistët dhe federatat sportive të arrijnë rezultate kulmore siç kanë bërë deri me tani Majlinda Kelmendi e Aziz Salihu e sportistë të tjerë, duke i dhënë vulë historisë së sportit të Kosovës.

Gjatë ceremonisë është bërë dorëzimi i Stemave të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar për tetë (8) sportistët e Kosovës, pjesëmarrës në Rio 2016 si dhe janë ndarë mirënjohjet për rreth 40 sportistë të cilët me të arriturat e tyre sportive të jashtëzakonshme, kanë kontribuar për anëtarësimin e organizatave sportive të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. 

Image
Image