Bashkimi e siguron fitoren e parë dramatike në Ligën Ballkanike

Sport November 22, 2016 - 21:48

Bashkimi më në fund e ka shijuar fitoren e parë në Ligën Ballkanike, shkruan Zeri.info.

Skuadra prizrenase e mundi ekipin KK Kozuv pas një lufte të madhe, duke fituar në fund me rezultat 69:66.

Fituesi u vendos në sekondat e fundit, derisa të dyja ekipet kishin mundësi reale për të fituar, por vendësit i menaxhuan më mirë nervat.

Kjo fitore i dha fund serisë prej katër humbjesh radhazi të ekipit Portokalli, derisa Kozuvi e pësoi humbjen e katër rresht.

Të dyja ekipet kanë nga një fitore e katër humbje. Javën tjetër, Bashkimi do të luajë në shtëpi me Sigal Prishtinën, derisa Kozuvi i shkon ekipit Beroe më 6 nëntor.

Eric Palm e ka zhvilluar një lojë mjaft të mirë për ekipin prizrenas, duke realizuar 27 pikë, 5 kërcime dhe 3 asistime. Kejuan Johnson po ashtu bëri mirë, me 21 pikë, 7 kërcime, 4 asistime dhe 4 bllokada, kurse Ermin Jazvin kishte 8 pikë dhe 9 kërcime.

Kenyon McNeail e kishte një tjetër lojë të mirë për Kozuvin me 22 pikë e 7 asistime. Milivoje Mijovic pati 11 pikë e 12 kërcime, derisa Jagos Matijasevic e Nikola Djurasovic realizuan nga 8 pikë. /Zëri/