Sigal Prishtina ia shkakton Pejës humbjen e parë

Sport November 26, 2016 - 20:53

Në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet është zhvilluar derbi i madh në basketbollin e Kosovës, ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Pejës, në kuadër të Superligës së Kosovës në basketboll.

Kryeqytetasit e fituan me 16 pikë epërsi derbin e dytë sezonal kundër rivalit më të madh (74-58).

Skuadra mysafire ua angazhua më shumë në çerekun e parë të lojës, të cilin e mbylli me tri pikë epërsi (16:19).

Megjithatë, rikthimi i vendasve ndodhi me të filluar pjesëloja e dytë. Sidoqoftë, vizitorët nuk lejonin që diferenca e pikëve të rritej shumë.

Dhe pas angazhimit të të dyja palëve, ishin vendasit ata që e fituan çerekun e dytë (15:13), mirëpo skuadrat shkuan në pushim me epërsinë e Pejës prej një pike (31-32).

Një dominim i Prishtinës u pa në fraksionin e tretë të lojës, në të cilin shënoi 22 pikë, kurse Peja shënoi vetëm nëntë sosh.

Nikoqirët e ruajtën tempin edhe në çerekun e fundit dhe ia dolën ta fitonin bindshëm këtë sfidë. Pejanët e kishin të vështirë ta ngushtonin avantazhin e lartë të vendasve përkundër përpjekjeve në minutat e fundit.

Bojan Trajkovski ishte më i miri te vendasit me 16 pikë (9 kërcime dhe 1 asistim), kurse më shumë pikë te mysafirët realizoi Cameron Rundles, 22 pikë (8 kërcime dhe 2 asistime).

Theksojmë se Peja e kishte fituar duelin e parë mes dy skuadrave rivale, ndërsa kjo ishte humbja e parë në Superligën e Kosovës në basketboll për pejanët. /Telegrafi/

Image
Image