Stjuardesa konfirmon të papriturën: Aeroplani i futbollistëve mbeti pa derivate

Sport November 30, 2016 - 23:39

Piloti i aeroplanit të rrëzuar në pjesën qendrore të Kolumbisë i ka thënë kontrollit të fluturimeve se ka mbetur pa derivate para rënies së kobshme në Ande.

Në momentin e xhirimit kaotik të kontrollit të fluturimeve, mund të dëgjohet se si piloti para së të rrëzohet përsëritë kërkesën që të ateroi për shkak “të ndërprerjes të plotë të energjisë dhe mungesës së derivateve/kerozinës”, transmeton lajmi.net.

Dëgjohet edhe se si kontrollorja e fluturimit jep instruksione derisa aeroplani humb shpejtësinë dhe lartësinë në rreth 10 kilometra larg aeroportit të Medelinit.

Xhirimi, i cili ka rrjedhur në disa media të Kolumbisë, konfirmon versionin e stjuardesës dhe pilotit të mbijetuar (piloti i rezervë), të cilët kanë dëgjuar thirrjet dëshpëruese për ndihmë të pilotit të aeroplanit.

Kjo, si dhe fakti se aeroplani nuk ka shpërthyer në momentin e goditjes në tokë, tregojnë se shkak i rrëzimit të aeroplanit ka qenë mungesa e derivateve.

Hetuesit më herët kanë nxjerr teori se si piloti Migel Alehandro Kviroga Murakami qëllimisht e ka zbrazur rezervuarin në mënyrë që aeroplani mos të shpërthejë në momentin e përplasjes në tokë.

Edhe tre udhëtarët e mbijetuar u kanë thënë zyrtarëve se janë të bindur se aeroplani ka mbetur pa derivate një minutë para se të ateronte në aeroportin e Medelinit.

Tragjedia e klubit brazilian, Chapecoense, ka prekur mbarë botën, sidomos futbollistët dhe futbolldashësit.

Nga 77 anëtarë që ishin në bord, vetëm gjashtë kanë shpëtuar, tre futbollistë dhe tre anëtar të ekuipazhit.

Klubi brazilian po udhëtonte në Kolumbi për të zhvilluar ndeshjen finale të Kupës së Amerikës së Jugut.