Beshiri bën hapin e karrierës

Sport January 21, 2017 - 09:05

Superliga e Kosovës në hendboll ka mbetur pa njërin prej lojtarëve më të dalluar në vitet e fundit. Fjala është për reprezentuesin kosovar, Oltion Beshirin, i cili me vështirësi është ndarë me klubin e zemrës, Prishtinën, për ta vazhduar karrierën jashtë vendit.

“Olti” tash e tutje do të aktivizohet në elitën e hendbollit kroat, pasi ka nënshkruar kontratë me MRK Metalac. “Nga ky vit do të jem pjesë e Premierligës kroate, përkatësisht MRK Metalac. Unë e falënderoj ekipin tim të deritanishëm, Prishtinën, dhe tifozët më të mirë në botë, ‘Plisat’ për të gjitha arritjet e përbashkëta dhe kujtimet e mrekullueshme”, ka theksuar njëri prej sportistëve më të dashur nga ana e “Plisave”.

Beshiri qysh nga fëmijëria kishte nisur të merret me hendboll, madje me seriozitetin më të lartë, pavarësisht kushteve të vështira në të cilat zhvillohet ky sport në vendin tonë. Ai është njëri prej lojtarëve më të respektuar, për të cilin flasin fjalë të mira i gjithë komuniteti i hendbollit./Zeri/.