E realizon ëndrrën në Gjermani (FOTO)

Sport January 21, 2017 - 11:30

Jon Krajkova është njëri prej 15 futbollistëve të FC Prishtinës që do ta realizojë ëndrrën, duke marrë pjesë në turneun prestigjioz “Iserlohner Cup 2017”, i cili do të mbahet më 21 dhe 22 janar, shkruan zeri.info.

Ai, me shokët e skuadrës e ka marrë rrugën drejt Gjermanisë mbrëmë, ku do të paraqitet në këtë turne, në të cilin synon t’i tregojë vlerat e tij dhe të ekipit, në një konkurrencë të fortë, pasi në turne marrin pjesë plot klube prestigjioze.

“Kjo është një ëndërr imja, e cila dita-ditës po bëhet realitet. Është një mundësi shumë e mirë për t’i treguar vlerat e mia, jo vetëm unë, por i gjithë ekipi, me shpresë që do t’ju tregojmë edhe klubeve të mëdha evropiane në këtë turne se edhe ne posedojmë talentë në këtë sport dhe presim të korrim rezultate pozitive në Gjermani”, ka thënë fillimisht 14 vjeçari për “Zërin”.

E turneu në Gjermani, për sulmuesin e djathtë, i cili është edhe pjesë e Përfaqësueses së Kosovës U-15, e ka një domethënie speciale.

“Përpos dëshirës sime që po marr pjesë në këtë turne në Gjermani, kjo ka qenë edhe ëndërr e gjyshit tim të ndjerë, Ibrahim Krajkova – Leci”, ka përfunduar Joni.

FC Prishtina ka përfunduar në Grupin A, së bashku me ekipet e njohura gjermane si FC Schalke 04, VFB Stuttgart, Hamburger SV, si dhe Stadtauswahl Iserlohn. Ndërkaq, në këtë turne do të marrin pjesë edhe klube të tjera të njohura evropiane si: Arsenali, Borussia Dortmundi, Rapid Vjena, Werder Bremeni, Hertha, Leverkuseni, Kolni, Dinamo Zagrebi, etj. /Zëri/

 

 

Image