Mezi e pret debutimin

Sport February 24, 2017 - 14:45

Besart Berisha ka konfirmuar se do të jetë pjesë e Përfaqësueses së Kosovës në ndeshjen e 24 marsit ndaj Islandës, e vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Botëror 2018, shkruan sot gazeta "Zëri"..

Kohëve të fundit spekulohej se sulmuesi kosovar do t’i bashkohet ekipit të Albert Bunjakit dhe ishte vetë futbollisti prishtinas ai që e konfirmoi ardhjen. Madje, futbollisti të Melbourne Victoryt nuk i pritet derisa të debutojë për ekipin Verdhekaltër.

“Për mua është një periudhë mjaft ngazëlluese, kam vendosur të shkoj atje”, ka thënë fillimisht ish-futbollisti i Hamburgut në konferencë për shtyp.

Ai shpreson që të mundë ta japë kontributin e tij, derisa Kosova është në kërkim të fitores së parë në eliminatoret për “Rusia 2018”.

“Është ndeshja ime e parë për Kosovën dhe kam vendosur t’i bashkohem kësaj Përfaqësueseje. Shpresoj ta kem atje një periudhë të mirë”, vazhdoi ish-përfaqësuesi shqiptar, i cili me Kuqezinjtë kishte luajtur 17 herë, por që viteve të fundit e kishte refuzuar ftesën e trajnerit Gianni de Biasi për shkak të largësisë.

Sidoqoftë, ai e kishte marrë lejen nga FIFA në janar për të luajtur për Kosovën dhe tash e tutje do të jetë në dispozicion të ekipit më të ri evropian.

Sulmi i Përfaqësueses ka ngecur në ndeshjet e para kualifikuese, prandaj Berisha do të jetë një pasuri për Kosovën, së cilës i mungojnë golat.

Gjithashtu, krahas Berishës në ndeshje me Islandën ekipi i Bunjakit do të ketë edhe risi të tjera. Atij pritet t’i bashkohen edhe Donis Avdijaj, Atdhe Nuhiu dhe Florent Hadërgjonaj.

Synon 100-golëshin në Australi

Ndërkohë, 31-vjeçari ka folur edhe për eksperiencën australiane. Ai është duke e shijuar kulmin e karrierës dhe synon që ta arrijë numrin jubilar prej 100 golash, duke u bërë futbollisti i parë që e arrin këtë shifër në A-League.

“Do të doja që ta arrij këtë shifër sa më shpejt të jetë e mundur, por unë ndërkohë jam i fokusuar shumë në lojën e ardhshme ndaj Adelaide United të shtunën, e cila është mjaft e rëndësishme”, vazhdoi Berisha, i cili këtë sezon ka realizuar 16 gola.

Ai i ka shtatë ndeshje, plus finalet, për t’i shënuar pesë gola dhe për ta arritur rekordin e sezonit 2011/12 me Brisbane Roar. Gjithashtu, atij i nevojiten vetëm tri shënime për ta arritur shifrën e 100 golave.

Berisha synon ta fitojë titullin e radhës me Melbourne Victory, derisa ai është njëri prej futbollistëve më të mirë në futbollin australian qëkur kishte shkuar atje nga Gjermania, ku ishte rritur dhe zhvilluar si futbollist, pasi familja e tij kishte emigruar në këtë vend për shkak të luftës në vitet e ’90-ta. /Zëri/