Ismet Munishi: Dorëhiqem nëse e humb derbin

Sport February 25, 2017 - 21:49

Trajneri i Dritës, Ismet Munishi ka dhënë një deklaratë jashtëzakonisht interesante para derbit të nesërm me Gjilanin.

Drita dhe Gjilani do të përballen nesër në kuadër të Superligës së Kosovës në futboll, ndërsa në një prononcim për Sportali.net, Munishi ka thënë se vetëm fitorja është në mendjen e tij.

Megjithatë, në rast të humbjes, Munishi ka thënë se do të jap dorëheqje, teksa i ka falënderuar ”Intelektualët”, teksa iu ka dhënë edhe një premtim të madh.

”Nëse e humbi derbin rasisht, jap dorëheqje. I falënderoj Intelektualët për përkrahje dhe ju garantoj se kurrë nuk do të jem trajner i fqinjëve në të ardhmen”.

”Kemi punuar shumë, Drita po bëhet dhe kjo ka rëndësi. Nuk mund t’a përballoj humbjen sepse kam dhënë fjalë të mëdha dhe deri më tani punët nuk kanë ecur mirë dhe përgjegjësinë e kam unë”, u shpreh Munishi.

Pavarësisht ngecjeve, Munishi thotë se deri më tani ka përjetuar kënaqësi te Drita dhe se i do lojtarët e tij me gjithë zemër.

”Deri në këto momente kam përjetuar kënaqësinë si trajner i një klubi të madh dhe tifozërisë fantastike. Shpresoj që Zoti të më ndihmojë pasi që njerëzve nuk ua kam parë hajrin deri më tani”.

”Lojtarët e mi kanë punuar shumë dhe i dua me gjithë zemër. Me apo pa mua, ata nuk e kanë problem mbijetesën. Shpresoj që Zoti t’iu shpërblejë për mundin dhe jeni më të përgatiturit në kampionat”.

”Falënderoj Valonin, Flamurin, Fisin dhe Fetin për përkrahje dhe bashkëpunim gjithashtu”, përfundoi Munishi për Sportali.net.