Paqarada paralajmëron Islandën

Sport March 22, 2017 - 14:17

Mbrojtësi i majtë, Leart Paqarada, beson se Përfaqësuesja e Kosovës mund të arrijë rezultat pozitiv në ndeshjen me Islandën, pa marrë parasysh që bëhet fjalë për një rival shumë cilësor, shkruan zeri.info.

“Pres që ndeshja me Islandën të jetë e fortë. Ata kanë një skuadër të kompozuar shumë mirë, fizikisht janë shumë të mirë, ndërsa kanë edhe individë të dalluar. Do të hyjmë në ndeshje me synimin për të marrë rezultat pozitiv”, ka thënë Paqarada për zeri.info dy ditë para ndeshjes që do të zhvillohet në Shkodër.

Kosova nuk ka pasur rezultate të mira në katër ndeshjet e para, por ai beson se në vazhdim gjërat do të shkojnë duke u përmirësuar. “Jemi skuadër e re dhe vazhdimisht po përmirësohemi. Synimi ynë është që Kosovën ta prezantojmë sa më mirë. Do të luajmë me përkushtimin më të madh, me zemër dhe si grup i bashkuar. Na presin lojë të vështira, por ne do ta bëjmë më të mirën”, ka shtuar anëtari i skuadrës gjermane Sandhausen.

Në ndeshjen me Islandën do të ketë edhe risi në Përfaqësuesen e Kosovës, pasi Besart Berisha, Atdhe Nuhiu dhe Dionis Avdiaj do të paraqiten për herë të parë. “Janë tre futbollistë shumë të mirë. Ne do të përpiqemi t’i ndihmojmë të përshtaten sa më mirë me grupin dhe nuk besoj se do të kenë asnjë problem”, ka theksuar 22-vjeçari Paqarada.

Është e qartë se Kosova kësaj radhe nuk ka gjasë të kualifikohet, por a beson Learti se kjo Përfaqësuese mund të arrijë suksesin historik në të ardhmen? “Është një gjeneratë shumë e mirë. A mjafton për t’u kualifikuar në një Evropian apo Botëror? Nuk e di, por e di që me kalimin e kohës skuadra po bëhet më e fortë. Përveç kësaj, është e sigurt se ne të gjithë do ta japim maksimumin tonë që Kosovën ta bëjmë krenare”, ka theksuar Paqarada.

Megjithëse i lindur në Gjermani, Learti ndihet i lumtur që ka rastin të veshë fanellën e Përfaqësueses së Kosovës. “Jam shumë krenar që luaj për Kosovën dhe që e vesh fanellën me stemën e saj në gjoks”, është shprehur Paqarada, i cili me gjasë gjatë verës do të ndërrojë skuadër, duke marrë parasysh ofertat e shumta.

“Kontrata me Sandhausenin më skadon në verë të këtij viti. Nuk e di nëse do të qëndroj apo jo. Kam disa oferta shumë serioze dhe të shohim cili do të jetë vendimi për të ardhmen”, ka thënë Paqarada.

Bëhet e ditur se për shërbimet e tij janë duke u interesuar dy skuadra të Bundesligës gjermane, Freiburg dhe Mainz si dhe tri nga Bundesliga II, Bochum, Karlsluher dhe Fortuna Dusseldorf./Zëri/