Cana: Këshilla ime për Kombëtaren. Gruaja, tifoze e flaktë kuqezi

Sport March 22, 2017 - 17:06

Kombëtarja është në emergjencë totale në mbrojtje dhe kush më mirë se Lorik Cana mund të japë ndonjë sugjerim në distancë për të “arnuar” repartin e prapavijës?

Ish-kapiteni kuqezi flet kujdesshëm për këtë dhe tema të tjera, por pohon se italianët, “këta mjeshtër të politikës” siç i përkufizon ai, ia kanë arritur të shmangin ngjyrosjen kuqezi të stadiumit, duke e çuar ndeshjen në ishull.

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, rekordmeni i kuqezinjve u bën edhe një apel shokëve të skuadrës për duelin me katër herë kampionët e botës.

Cana thotë ndër të tjera se ka një ngacmim të vazhdueshëm me bashkëshorten e tij italiane, Monikën, porse në ndeshjen e kthimit në Tiranë kundër “axurrëve”, ajo do të jetë në stadium dhe do të jetë e veshur me kostumin kuqezi.

Lorik, si po e përjeton këtë pragndeshje kaq të rëndësishme?

Mirë, me intensitetin e duhur emocional. Kombëtarja është pjesë e pandarë e jetës sime dhe sigurisht që gjithnjë ka vëmendjen time. Natyrisht, ka disa momente kur ndihem edhe pak nostalgjik, por im bir më tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen dhe më bën të jem i plotësuar e ta vuaj më pak mungesën e të luajturit futboll.

Ju keni luajtur te Lacio, bashkëshorten e keni italiane, a do të donit që në një ndeshje kaq të rëndësishme ndaj Italisë të ishit në fushë?

Po, pa dyshim që po. Është një ndeshje e nivelit të lartë dhe të dhuron emocione të veçanta. Por gjithsesi do të jem në tribunën e stadiumit dhe do ta mbështes skuadrën si tifoz.

Jemi në emergjencë totale në mbrojtje… Mungon Berisha, Mavraj dhe Gjimshiti. Si mund të zgjidhet, ose më saktë sa shanse kemi t’ia dalim mbanë edhe pa ata?

Të tre janë lojtarë cilësorë dhe me peshë. Besoj bëjnë pjesë te shtyllat e ekipit, por gjithsesi De Biazi do të dijë të bëjë zgjedhjet e duhura. Normalisht, para një kundërshtari si Italia do të ish mirë që të kishim një grup të kompletuar, por lojtarët tanë kanë shumë kohë që luajnë me njëri-tjetrin dhe kushdo që do të mund të luajë, do të japë maksimumin.

Shumë diplomat Lorik… Pyetja ishte konkrete: Kush duhet të luajë në krah të Ajetit, që me shumë gjasë do të jetë titullar i padiskutueshëm?

Mos më kërkoni emra. De Biazi e vendos këtë. Natyrisht, si italian, ai është një detajist dhe jam i bindur se aq shumë e ka studiuar Italinë, saqë edhe në ëndërr i sheh skemat dhe lëvizjet e tyre. Nuk më takon mua të jap sugjerime në distancë.

Igli Tare thotë që nuk duhet të mbrohemi aq shumë sa me Spanjën. Ju jeni dakord?

Po, deri diku po. Në fakt, janë skuadra të ndryshme. Spanja nuk të jep mundësi ta lexosh dhe ka cilësi aq të lartë, saqë edhe nëse hedh katër sulmues në fushë, sërish e sheh veten duke u mbrojtur. Italia është ndryshe, por sigurisht e fortë dhe e rrezikshme.

Ku ndryshon Italia?

Nuk sulmon aq mirë dhe me intensitet të lartë për 90 minuta, por në dallim nga Spanja, skuadra e Venturës ka edhe një mbrojtje të fortë. Pra, nëse me Spanjën ke mundësi dhe del në sulm, hapësirat që lënë ata janë më të mëdha, Italia nuk të lë hapësira mbrapa dhe kjo është një pikë e fortë e tyre.

Sa shanse kemi realisht me Italinë?

Kemi shanset tona, të mos jemi pesimistë. Ne kemi luajtur kundër Italisë në Xhenova dhe kemi bërë një paraqitje dinjitoze. Mendoj se barazimi do të kish qenë rezultati më i drejtë. Kanë ndryshuar shumë gjëra që atëherë, por nuk duhet të na mungojë optimizmi.

Image

A do të ndikojë fakti që ndeshja do të luhet në Palermo?

Shikoni, italianët janë mjeshtër të politikës dhe të strategjive. Unë mendoj se kjo është strategji dhe fitoren e parë e kanë marrë. Fakti që do luhet në Palermo do t’i penalizojë shumë tifozët tanë që të jenë me shumicë në stadium. Ata nuk do të mungojnë, por nuk do të mund ta kenë të lehtë sikundër mund të ishte po të luhej në Romë, apo në veri të Italisë. Tifozët kanë një efekt psikologjik të madh te skuadra jonë në ndeshjet në transfertë dhe mendoj se dinakëria po i shpërblen italianët në këtë pikë.

Krahasuar me një edicion më parë, duket sikur nuk është e njëjta atmosferë… Mendoni se ka ardhur prej humbjes me Izraelin, apo ka faktorë të tjerë?

Nuk dua ta flas për këtë temë. Më mirëkuptoni, nuk kundërshtoj konstatimin tuaj, por është një temë e gjerë ku përfshihen shumë faktorë për atmosferën rreth Kombëtares dhe nuk mendoj se është ky momenti për ta diskutuar.

Çfarë ju thotë bashkëshortja juaj, Monika, në prag të kësaj ndeshjeje?

Në fakt, ajo ka qenë gjithnjë në anën time. Pra, është 300 për qind shqiptare. Madje, shpesh ka qenë më e flaktë se unë në diskutimet që kemi me miqtë këtu në Romë kur diskutohet kjo ndeshje. Unë do të jem në stadium për ndeshjen e së premtes, ndërsa ajo do ta shohë nga TV. Por më ka premtuar se për ndeshjen e kthimit në Tiranë do të jetë në stadium dhe do të jetë e veshur me ngjyrat kuqezi.

Nëse do të ishit ende kapiten i Kombëtares, cili është mesazhi që do t’u jepje shokëve të skuadrës para kësaj ndeshjeje?

Nuk kam asnjë mesazh specifik. Ata e njohin njëri-tjetrin prej vitesh dhe e dinë se sa e rëndësishme është për Shqipërinë forca e grupit. Ajo që mund t’u them në distancë është që ta shijojnë këtë ndeshje. Është kënaqësi dhe emocion që nuk përsëritet shpesh. Duhet ta përjetojnë thjesht si një ndeshje futbolli, asgjë më shumë.