Në Kosovë kritikohet, jashtë lavdërohet

Sport March 26, 2017 - 15:38

Pas humbjes nga Islanda është shtuar edhe presioni ndaj Albert Bunjakit, prej të cilit shumëkush po kërkon dorëheqjen nga posti i përzgjedhësit të Përfaqësueses së Kosovës, raporton “Zëri”.

Mirëpo, gjasat janë të vogla që Bunjaki të ofrojë dorëheqjen, pasi ai krenohet me ngritjen e Kosovës, paraqitjet e saj, e mbi të gjitha insiston se skuadra e tij secilën herë po rritet më shumë.

Kohë më parë Bunjaki pati bërë të ditur për “Zërin” se e ka një kontratë me Federatën e Futbollit të Kosovës, e cila e mban të lidhur me Kosovën deri në vitin 2020. Ai pati thënë se vetëm pas përfundimit të Kampionatit Evropian të vitit 2020 do të ndahet me përfaqësuesen kosovare.

Derisa shumë kosovarë e kritikojnë, Bunjaki ka marrë komplimente të mëdha së fundmi nga trajneri i Islandës, Heimir Hallgrimsson, për punën e bërë në ekipin përfaqësues të Kosovës. Ai ka thënë se Kosova po ecën sigurt drejt një niveli të lartë. Të ardhme të ndritur për Kosovën kanë parashikuar edhe trajnerët e Turqisë e Ukrainës – Fatih Terim dhe Andry Shevchenko. /Zëri/