Thaqi: Ta prezantojmë sa më mirë futbollin kosovar

Sport June 28, 2017 - 20:32

Trajneri Arsim Thaqi i ka motivuar maksimalisht lojtarët e tij, nga të cilët pret angazhim, prej së cilit mund të nxjerrë edhe rezultat pozitiv.

Ai e pranon se kundërshtari është më i fuqishëm, por ky fakt nuk e detyron atë ta ngre lart flamurin e bardhë, shkruan zeri.info.

“Kemi përballë një ekip shumë cilësor. Normalisht, për ne është kënaqësi të luajmë ndaj tyre dhe i respektojmë shumë, mbi të gjitha për faktin se janë nga shteti suedez, të cilin e kemi shtet mik”, u shpreh trajneri kosovar në konferencë për shtyp.

“Do të mundohemi ta prezantojmë sa më mirë futbollin e Kosovës dhe klubin tonë në Suedi. Nëse mund ta shfaqim atë që e kemi stërvitur, duke u bazuar në nivelin e kundërshtarit dhe për faktin se kjo ndeshje është historike, atëherë e kemi mbërri qëllimin”, nënvizoi Thaqi, i cili i ka falënderuar të gjithë shqiptarët që e kanë shprehur dëshirën të ndihmojnë dhe ta mbështesin ekipin prishtinas në Suedi. Ai nënvizoi se kjo ndeshje është historike edhe për Norrkopingun, sepse bëhet pjesë e historisë së Prishtinës.

“Është kënaqësi dhe privilegj për Prishtinën, për këta lojtarë dhe për Kosovën. Është historike pjesëmarrja në këto gara. Jemi shumë të kënaqur dhe privilegjuar që jemi pjesë e Europa League, shpresoj që Prishtina vitin tjetër të jetë pjesë e Ligës së Kampionëve”, pohoi Thaqi. /Zëri/