Thaqi: Nuk i shfrytëzuam rastet, Norrkopingu ekip më cilësor

Sport June 29, 2017 - 22:27

Trajneri i FC Prishtinës, Arsim Thaqi e ka uruar Norrkopingun për fitoren bindëse ndaj ekipit të tij me rezultat 5:0, duke e pranuar se ekipi suedez ishte shumë më cilësor, shkruan zeri.info.

Megjithatë, trajneri kosovar mendon se lojtarët e tij kanë mundur të bënin më shumë, mbi të gjitha përpara portës kundërshtare, pasi patën disa raste, mbi të gjitha në pjesën e parë.

“Kemi qenë të vetëdijshëm që do ta kemi një kundërshtar shumë të fortë. U tregua dallimi në cilësi, sidomos në pjesën e parë. Kishim në fillim të lojës momentet tona dhe lojtarët tanë është dashur të jenë më të kujdesshëm dhe të shënojnë. Nuk i shfrytëzuam rastet që i patëm. Rrjedha tjetër e lojës shkoi në favor të kundërshtarit”, ka thënë fillimisht Thaqi në konferencë për shtyp.

“Ka qenë dominim total i kundërshtarit, i përgëzoj për lojën që e bënë. Na nevojitet eksperienca dhe sa më shumë ndeshje që bëjmë, aq më mirë për ne është, në mënyrë që të përballemi me ekipe si Norrkopingu në të ardhmen”, nënvizoi ai.

Thaqi ndër të tjera u shpreh se ideja e tij ka qenë që në fillim ta befasojë kundërshtarin, por e pranoi se lojtarët e krahut patën shumë probleme gjatë lojës.

Sipas tij, kjo është një eksperiencë e re dhe për këtë prishtinasit në fillim hynë në lojë me presionin e faktit se kanë përpara kundërshtar të fortë, gjë që rezultoi me pësimin e shumë golave. /Zëri/