Trajneri i Norrkopingut: Kemi krijuar avantazh solid, Prishtina na rrezikoi disa herë

Sport June 29, 2017 - 22:37

Trajneri i Norrkopingut, Jens Gustafsson është i kënaqur me rezultatin që e arriti ekipi i tij ndaj FC Prishtinës, në fitoren 5:0, raporton zeri.info.

Ai u shpreh se ekipi suedez ka krijuar avantazh solid para lojës së kthimit, që zhvillohet javën tjetër në Mitrovicë.

Ai e pranon se u befasua nga fillimi i furishëm i lojës nga ana e prishtinasve, por që me kalimin e minutave ekipi i tij e mori lojën nën kontroll.

“Jemi të kënaqur me rezultatin. Nuk dinim shumë për kundërshtarin dhe FC Prishtina i pati rastet e veta. Mirëpo, dalë ngadalë filluam ta luajmë lojën tonë, luajtëm, shënuam dhe më pas kishim kujdes. Kemi rezultat shumë pozitiv për lojën e kthimit në Mitrovicë. Atje do të jetë një lojë krejt ndryshe. Do të jetë një eksperiencë edhe për ne të vijmë atje”, ka thënë trajneri suedez në konferencë për shtyp.

Sipas tij, edhe prishtinasit zhvilluan lojë të mirë dhe nuk “fjetën” asnjëherë gjatë saj.

“Prishtina filloi me lojë ofanzive, na befasoi disa herë. Ne shkuam në pushim me 5:0, por nuk ishim të kënaqur me lojën në pjesën e parë. Edhe pse i dhamë golat, nuk ishim të disiplinuar me lojën tonë 100 për qind”, vazhdoi Gustafsson.

Ai e ka përmendur numrin 25, Abdul Basit Khalid, si lojtar që i ra në sy pasi ishte shumë i fuqishëm dhe mjaft i mirë, ndërkohë që u shpreh se e befasuan edhe disa lojtarë të tjerë të prishtinasve me aksione, që e vunë Norrkopingun në vështirësi. /Zëri/