Kosovari i Shqipërisë tallet keq me Arshavinin

Sport July 03, 2017 - 22:29

Skënderbeu fitoi në ndeshjen e parë kundër Sant Hulias me golin e Liridon Latifit, por nuk shkëlqeu në përgjithësi si ekip edhe pse kishte përballë një ekip amator dhe triumfi duhej të ishte më i thellë duke parë edhe si shkoi takimi.

Autori i golit të fitores, por edhe lojtari më i rëndësishëm i momentit te Skënderbeu, Liridon Latifi në një intervistë për “Panorama Sport”, flet për ndeshjen e kthimit.

Sipas tij, korçarët do të kualifikohen në Andorrë në një ndeshje, ku fitorja do të jetë me gola.

Por, Latifi komenton edhe ndeshjen e Turit të Dytë, që sipas të gjitha gjasave do të jetë ndaj Kairat, ku thotë se shanset për kalimin ndaj kazakëve janë 50 për qind.

E kalon Skënderbeu këtë tur në Europë?

100 %. Nuk do diskutim që do të jemi ne ata që e kalojmë këtë tur.

Pra, do të thotë se po mendoni për Kairatin?

Po, pa dyshim. Ata kanë fituar 5-0 dhe janë të kualifikuar.

Sa e vështirë do të jetë me ta?

Mendoj se do të jetë më e lehtë se me Sant Hulian. Motivimi është shumë më i lartë dhe shumë ndryshe. Kundërshtari nuk mbyllet shumë në prapavijë. Prandaj mendoj se do të jetë 50 me 50.

Besoj se nuk e keni harruar që luan edhe Arshavini me Kairatin?

E di, por mendoj që ata e kanë moshën për të humbur tashmë. Kështu që besoj se do të kalojmë ne.