Sigal Prishtina e Stavilecit i kundërpërgjigjet ashpër komunës së Shpend Ahmetit

Sport September 18, 2017 - 19:49

Sigal Prishtina i është kundërpërgjigjur Komunës së Prishtinës përkatësisht zëdhënësit të saj, Adonis Tahirit, i cili i ka thënë “Zërit”, se Sigal Prishtina e udhëhequr nga Blerand Stavileci ka më së paku arsye të ankohet rreth kushteve të Pallatit të Rinisë dhe të Sporteve sepse, sipas tij, vetë Stavileci ka qenë pjesë e Qeverisë e cila e ka bllokuar zgjidhjen e statustit të këtij pallati përmes AKP-së.

Përmes një reagimi, Sigal Pristhina, thotë se Komuna e Prishtinës nuk ka bërë asgjë për sportin e Prishtinës përveçse është shndërruar në një “strehë” e militantëve partiak, shkruan “Zëri”.

Në reagimin e Sigal Prishtinës thuhet:

REAGIM NGA KRYESIA E KLUBIT

(N'a vjen shumë keq që duhet të reagojmë për tema kaq banale, një ditë para ndeshjes më të rëndësishme të Prishtinës në histori të klubit)

Sigal Prishtina: Komuna “krenohet” me sukseset tona, ndërsa n’a sulmon kur i kërkojmë përkrahje

Komuna e Prishtinës, përveçse nuk po e përkrahë Klubin e Basketbollit “Sigal Prishtina”, me qasjen e saj të papërgjegjshme po i dekurajon edhe basketbollistët dhe tifozët tanë, që kryeqytetit i kanë sjellë dhjetëra kupa si kampionë.

Në vend se për sportistët që na bredhin rrugëve të mundohet të krijojë kushte dhe hapësirë sportive, qeverisja e Prishtinës po mundohet ta politizojë edhe klubin me më së shumti trofe në Kosovë.

Komuna e Prishtinës, e cila është shndërruar në strehë për militantë partiakë dhe më së paku po qeveriset nga prishtinasit, duke u munduar t’i shmanget përgjegjësisë për mospërkrahjen e klubit, tash po përpiqet që gjithçka ta personalizojë dhe shndërrojë në betejë politike me presidentin e KB Sigal Prishtina, Blerand Stavileci, i cili është një prej njerëzve më meritorë për sukseset e klubit, i cili që nga viti 1994 është pjesë e klubit si lojtar, kapiten, drejtor i shkollës, drejtor sportiv dhe tash kryetar i klubit. Nën presidencën e Blerandit klubi për 4 vjet i ka fituar hiç më pak se 32 trofe. Një rekord absolut. Emri i Prishtinës është futur në hartën e klubeve serioze dhe Prishtina si destinacion i sportistëve të mirë.

Përmes një zëdhënësi, që qenka nga Gjilani, sigurisht tifoz i Dritës ose Gjilanit, i cili paska shpërfaqur injorancën e tij duke mos pasur as informacione elementare për KB Sigal Prishtinën, sepse as pozitën që mban Blerand Stavileci në klub nuk e dinte, Komuna e Prishtinës vetëm sa e paska konfirmuar edhe një herë se as që i interesojnë sportistët dhe se për ta gjithçka është vetëm politikë.

Drejtor i Klubit të Basketbollit “Sigal Prishtina” është Florian Miftari, po ashtu njëri nga ikonat e klubit dhe bashkëlojtar i Blerandit, ndërsa kur me sukseset tona i bëjmë të krenohen gjithë prishtinasit, nuk mungojnë asnjëherë deklaratat e udhëheqësve të Komunës së Prishtinës gjoja se edhe ata i gëzohen sukseseve tona, njëjtë sikurse prishtinasit, mirëpo krejt e kundërta ndodhë kur vjen puna te përkrahja e tyre, sepse gjithmonë shmangen dhe krijojnë distancë për shkak të betejave të tyre politike.

Pra, në suksese na trajtojnë si klub të prishtinasve, kurse kur u kërkohet përkrahje shmangen me qasje politike.

Klubi më i trofeshëm i basketbollit në Kosovë, “Sigal Prishtina”, kërkon nga të gjithë adhuruesit e basketbollit dhe të të gjitha sporteve në Prishtinë, që të bëhemi bashkë dhe njëzëri të kërkojmë kushte më të mira për sportistët tanë. E këtij zëdhënësi të imponuar i dëshirojmë fat me klubet e tij të zemrës nga Gjilani.

KRYESIA E KLUBIT