Bunjaku: Do të mundohemi ta befasojmë Islandën

Sport October 08, 2017 - 23:06

Bunjaku thotë se është vështirë të bëhet diçka kundër Islandës pas udhëtimit të gjatë, por premton se lojtarët do të japim maksimumin në ndeshjen e fundit për të arritur një rezultat pozitiv.

Aventura e Kombëtares së Kosovës në eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018” përfundon me ndeshjen kundër Islandës të hënën që do të zhvillohet nga ora 20:45.

Trajneri i Kosovës, Albert Bunjaku, zhvillon ndeshjen e fundit në krye të Kombëtares, ashtu si Kosova në këto eliminatore që pavarësisht rezultateve, tifozët e kanë përjetuar në maksimum pasi Kosova shijoj për herë të parë në histori pjesëmarrjen në eliminatoret e një evenimenti madhor siç është Kupa e Botës.

Sido që të jetë, meqenëse është ndeshja e fundit e Bunjakut në krye të Kombëtares, shpreson që Kosova të arrijë ta përmbyllë këtë aventurë historike të paktën me barazim nëse jo me fitore në një teren të vështirë siç cilësohet ai i Islandës.

“Pas shumë orëve udhëtim, është e vështirë të bëhet diçka në këtë ndeshje. Megjithatë ne kemi pasur ngritje sa i përket paraqitjeve dhe do të mundohemi të bëjmë befasi. Do të japim maksimumin edhe në këtë ndeshje dhe shpresojmë se do t’ia dalim”, tha Bunjaku.

“Mund të ketë disa ndryshime në formacion sepse edhe lojtarët janë të lodhur, stërvitja e fundit më shumë do të jetë rigjenerim”, shtoi trajneri i Kosovës.

Në nëntë ndeshjet e para në Grupin I, Kosova mori vetëm një barazim, atë kundër Finlandës në sfidën e parë, ndërsa pësoi tetë humbje me radhë çka edhe shtynë FFK-në që të largojë Bunjakun.

Sido që të jetë, Kosova nuk humbi në këto eliminatore, Kosova fitoi shumë që pas pranimit në UEFA e FIFA.

Krijuam një skuadër me talente, ndoshta më të renë në moshë, afruam talentet shqiptarë nga mbarë bota, emri i Kombëtares u përmend për arsye të ndryshme dhe djelmoshat në fushë u dhuruan emocione të mëdha gjithë tifozëve, pavarësisht humbjeve të shumta.

Kosova ka të ardhme, kjo Kombëtare premton shumë, këtë e kanë thënë shumë analistë, por edhe vetë lojtarët që vazhdojnë të përsërisin “do t’ju bëjmë krenarë”.