Epokë e re, suksese të reja

Sport August 13, 2018 - 12:46

Cristiano Ronaldo thotë se ishte momenti i duhur për ta filluar një epokë të re në karrierë. Ylli portugez shton se nuk e kishte aspak të vështirë të largohej nga Real Madridi për t’iu bashkuar Juventusit. Klubi “Bianconeri” insiston se i ka pëlqyer që nga fëmijëria dhe me gjigantin italian synon të fitojë plot trofe

Cristiano Ronaldo thotë se ishte një “vendim i lehtë” për ta ndërprerë jetën në Real Madrid për ta nisur një të re në Juventus, derisa futbollisti që i kushtoi 100 milionë euro thotë se po e realizon një tjetër ëndërr fëmijërore, shkruan sot gazeta Zëri.

Pasi theu rekorde të njëpasnjëshme gjatë nëntë vjetëve sa qëndroi në kryeqytetin spanjoll, ylli portugez vendosi ta provojë një eksperiencë të re dhe ndryshe nga kjo verë.

Ai është 33 vjeç, por nuk ka shfaqur ende shenja të ngadalësimit ose të plakjes, prandaj është në kërkim të Topit të Artë numër gjashtë në karrierë dhe të çmimit Futbollisti më i Mirë i FIFA-s.

Kjo nënkupton se këto çmime do t’i fitonte si lojtar i Juventusit, derisa Ronaldo ka thënë se i nevojitej të mendonte shumë pak për një lëvizje drejt Italisë sapo e mori vesh interesimin e klubit torinez për të.

“Klub i madh, mbi të gjitha është një klub i madh. Qëkur isha fëmijë e kam shikuar këtë ekip dhe thosha se shpresoj që do të luaj atje një ditë. Tash do të luaj për këtë klub fantastik, në njërin prej më të mëdhenjve në botë. Jam i lumtur”, ka thënë Ronaldo për “JuventusTV” pasi stërviti me bashkëlojtarët e rinj dhe është gati për sezonin e ri.

“Nuk e kam një moment preciz se kur kam vendosur. Gjatë viteve ne kemi luajtur disa herë ndaj Juventusit dhe e kisha një ndjenjë të veçantë se tifozët italianë e pëlqejnë Cristianon. Ky është klubi më i madh në Itali, njëri prej më të mirëve në botë, kështu që ishte e lehtë të vendosja, Juventusi është një klub i jashtëzakonshëm”, ka shtuar Cristiano.

Ronaldo po ashtu e ka zbuluar dëshirën për t’iu bashkuar Juventusit kur ishte duartrokitur nga tifozët e klubit italian pas golit të shënuar në stilin “gërshërë” në çerekfinale të Ligës së Kampionëve në Torino sezonin e kaluar.

“Ishte e pabesueshme. E kujtoj atë moment çdo ditë, ajo nuk më kishte ndodhur asnjëherë më parë. Në Ligën e Kampionëve ndaj Juventusit, në çerekfinale, ti shënon gol dhe i sheh të gjithë duke të duartrokitur. Ishte një ndjenjë e papërshkrueshme dhe e paharrueshme”, u shpreh ndër të tjera ish-futbollisti i Sporting Lisbonës, i Manchester Unitedit dhe së fundmi i Real Madridit.

“Në fillim u ndjeva i befasuar. Unë e kam ndjekur Juven dhe e dua këtë klub, por nga ai moment e doja edhe më shumë. Nuk mund të them se ishte momenti kyç në vendonim tim, por çdo detaj ndihmon në këtë drejtim. Ndoshta. Natyrisht, të ndihmon kur i sheh njerëzit të cilëve u pëlqen, tifozëve dhe klubit që të do, ndjenja është krejt ndryshe”, nënvizoi Ronaldo, i cili ka premtuar se do ta japë më të mirën nga vetja për klubin bardhezi.

“Më duhet t’ju them të gjithë juve faleminderit për mbështetjen ndaj meje. Prioritet imi është ta bëj më të mirën, të jem profesionist, të mundohem ta bëj ekipin edhe më të mirë. Kjo është puna ime, do të mundohem ta shijoj sa më shumë këtë eksperiencë dhe ta ndihmoj ekipin e ri”, thotë portugezi, i cili e pranon se synon të fitojë trofe me “Zonjën e Vjetër”.

“Goli im i parë do të ndodhë në mënyrë natyrale, nuk po mendoj për këtë. E di se do të jem i përgatitur, do të jem gati, por goli i parë nuk çon fort peshë. Vetëm dua të jem gati. Dua të jem në formë të mirë, të kontribuoj për ekipin, të fitoj trofe, kjo është ajo të cilën po e kërkoj”, përfundoi Ronaldo. /Zëri/