Futbollistët e Francës nuk pajtohen mes vete, Deschamps përdor VAR-in në stërvitje

Sport November 15, 2018 - 11:52
Detajet

Gjatë seancës stërvitore të Kombëtares së Francës, trajneri i skuadrës, Didier Deschamps, u detyrua ta përdorte Video Assistant Referee (VAR), pasi që fillimisht kishte harruar ta llogariste golin e shënuar nga Kylian Mbappe.

Një nga pjesët e stërvitjeve të ekipeve të futbollit është edhe ajo kur skuadra ndahet në dy pjesë dhe pastaj ata ndeshen me njëri-tjetrin. Përkundër që kjo është vetëm një stërvitje, lojtarët dhe trajneri i Francës e morën atë shumë seriozisht, transmeton Gazeta Express.

Futbollistët e “Les Blues” nuk arrinin të pajtoheshin për rezultatin e kësaj ndeshje, pasi që ekipi në të cilin ishte edhe Mbappe pretendonte se trajneri e kishte harruar golin e shënuar nga 20-vjeçari.

Ata u grumbulluan rreth Deschamps, të cilin tentonin ta bindnin se kishte harruar ta llogariste njërin nga golat e shënuar, për këtë arsye rezultati i tij pretendohej se ishte i pasaktë.

Për ta sqaruar këtë edhe më shumë, Deschamps bën shenjë se do të konsultohet me VAR-in dhe drejtohet te kamerat rreth kampit stërvitor. Pasi kthehet, ai bën me dorë se goli ishte shënuar dhe lojtarët dhe ai fillojnë të qeshin.