Këto janë deklaratat e Haxhi Krasniqit pasi e mbrojti titullin e kampionit evropian mbrëmë!

Sport November 18, 2018 - 14:50

Haxhi Krasniqi nuk e ka fshehur gëzimin e tij për fitoren e arritur ndaj Ronny Landaetas, të cilin e vlerësoi si kundërshtar të vështirë, shkruan Zeri.info

Junikasi ndihet në të njëjtën kohë edhe krenar që arriti ta mbrojë titullin e kampionit evropian dhe që i bëri të lumtur miliona njerëz me performancën dhe fitoren e tij.

“Të dashur miq, kjo ishte sërish një luftë e fuqishme 12 raundëshe, që më kushtoi shumë forcë dhe mund. Mënyra e papërshtatshme e boksimit nga kundërshtari, sigurisht e lidhur me përvojën e tij në MMA, nuk ma bëri këtë duel të lehtë, por jam shumë krenar për këtë fitore bindëse dhe për mbrojtjen e parë të titullit tim të Evropës”, ka shkruar Krasniqi në llogaritë e tij rrjetet sociale.

“Falënderoj të gjitha televizionet që e bënë të mundur të ndiqet dueli im nga miliona njerëz në mbarë botën, kjo gjithnjë më bën të lumtur. Siç ju pata premtuar, luftova në çdo moment me shpirt e me zemër Kuq e Zi”, ka përfunduar Krasniqi.

Boksieri kosovar me nënshtetësi gjermane nuk e ka fshehur asnjëherë synimin e tij për t’u shpallur kampion bote, një ëndërr e kamotshme e tij.

Ai po punon që ta arrijë këtë sukses në vitet e fundit të karrierës pasi në të kaluarën ishte shumë afër, por kishte dështuar në meçet vendimtare.

Gjithsesi, me të arriturat e deritashme Krasniqi konsiderohet si njëri prej boksierëve më të mirë shqiptarë në histori. /Zëri/