Të gatshëm për të dyja sfidat, nuk kursehen ndaj Danimarkës

Të gatshëm për të dyja sfidat, nuk kursehen ndaj Danimarkës

Sport March 19, 2019 - 18:46
Detajet
Image

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll, nën drejtimin e përzgjedhësit Bernard Challandes, e ka zhvilluar të martën një stërvitje në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, para ndeshjes miqësore që “Dardanët” do ta zhvillojnë të enjten kundër Danimarkës. Në stërvitjen, që zgjati rreth 45 minuta, trajneri Challandes zhvilloi disa variante, të cilat mbase do t’i përdorë në ndeshjen me danezët ose edhe në atë me Bullgarinë, më 25 mars.  

Fillimisht futbollistët e nisën stërvitjen në një hapësirë 20x20 metra, ndërkohë që trajneri Challandes kërkonte vazhdimisht pasime të shkurtra nga futbollistët e tij, teksa u tregua i zëshëm në disa momente, duke kërkuar nga futbollistët që të bëjnë pasime të mençura. Ndërkohë, stërvitja vazhdoi në një hapësirë më të madhe, me gjysmë fushe ku u aktivizuan të gjithë futbollistët në lojën 11 me 11, duke pasur në fokus më shumë lojën sulmuese. Në këtë rast trajneri Challandes vazhdimisht kërkonte që pasimet të jenë të shpejta dhe të sakta, si dhe depërtime nga të dyja krahët me harkime të shpejta e të sakta. Nuk munguan as duartrokitjet e disa dhjetëra tifozëve, kur Celina pasi “dehu një kundërshtar” harkoi brenda zonës, pas të cilit harkim u shënua gol me kokë.

Me të mbaruar stërvitja, në një konferencë të shkurtër me gazetarë kapiteni Samir Ujkani dhe sulmuesi Milot Rashica folën për të dyja ndeshjet dhe formën që janë duke e kaluar futbollistët tanë.

Në pyetjen e gazetës “Zëri” nëse formën e jashtëzakonshme, që është duke e kaluar me Werderin në Gjermani, do ta transmetojë edhe në dy ndeshjet e Përfaqësueses së Kosovës, Milot Rashica u përgjigj: “Jam në formë shumë të mirë me Werderin, ndërsa këtë shpresoj ta bëj edhe me fanellën e Kosovës, ku do ta jap maksimumin për paraqitje sa më të mira”.

Rashica foli edhe për pozitën  në të cilën mund të luajë me Kosovën, pasi te Werderi është duke luajtur si qendërsulmues. “Unë do t’i përshtatem asaj pozite që e kërkon trajneri”. Duke folur për ndeshjen me Danimarkën, Rashica tha: “Është ndeshje e madhe dhe është hera e parë që luajmë me një kombëtare të fortë miqësore. Pasi është ndeshje miqësore mund të bëjmë eksperimente, në mënyrë që ta shohim veten ndaj kombëtareve të forta”

Në fund kapiteni Ujkani tha se në ndeshjen ndaj Danimarkës nuk do t’i ruajnë forcat. “Nuk do t’i ruajmë forcat ndaj Danimarkës që është kombëtare shumë e fortë, por për ne është me rëndësi çdo lojë në mënyrë që ta mbajmë ritmin. Aktualisht po mendojmë vetëm për Danimarkën”, ka thënë Samir Ujkani, duke shtuar në fund se Kosova ka shumë talente dhe mund të befasojmë. Të dy futbollistët, Ujkani dhe Rashica, thanë se gjendja e fushës në stadiumin “Fadil Vokrri” është shumë e mirë. /Zëri/