Alarm fals për Sadikun, zbulohet se si do luhet ndaj Turqisë

Alarm fals për Sadikun, zbulohet se si do luhet ndaj Turqisë

Sport March 21, 2019 - 08:34
Detajet

Kuqezinjtë po punojnë fort për dy ndeshjet kualifikuese dhe sot mbyllin përgatitjet për ndeshjen me Turqinë.

Përpos dy dëmtimeve të Lilës dhe Binakut, gjithçka ka shkuar shumë mirë gjatë këtyre ditëve me përgatitjet e skuadrës nën drejtimin e teknikut Christian Panucci, shkruan Panorama Sport. 

Një alarm fals tronditi për disa orë kampin kuqezi kur Sadiku pësoi një lëndim, por pas ekzaminimeve të para, për fat të mirë sulmuesi nuk pati asgjë serioze që mund të mungonte në ndeshjen me Turqinë.

SULMUESI – Gjatë paradites, sulmuesi elbasanas ka kryer vetëm rreth 20 minuta stërvitje me ekipin, pjesën e ushtrimeve të nxehjes dhe vrapimet dhe më pas nuk i është bashkuar ekipit.Por në seancën e pasdites, Sadiku u stërvit normalisht me grupin dhe pritet të jetë në dispozicion të Panuçit që nga minuta e parë kundër turqve, në rast se italiani do ta preferojë teknikisht. Gjatë ditës së djeshme, trajneri kishte programuar dy seanca stërvitore, paradite dhe pasdite. Secila prej tyre e fokusuar në aspektin taktik, si në vendosjen e skuadrës, ashtu edhe për të pasur kujdes pikat e forta të kundërshtarit.

FORMACIONI – Ndonëse janë zhvilluar katër seanca stërvitore, trajneri Panuçi vazhdon ende me “eksperimentet” në kompleksin sportiv. Italiani me gjithë provat e bëra nuk u ka lënë futbollistëve që të kuptojnë rreshtimin dhe zgjedhjet për 11- shen titullare.Gjithashtu, lojtarët janë shumë konfuzë, pasi nuk kanë kuptuar ekzaktësisht nëse do të jenë apo jo të përzgjedhur. Në seancën e pasdites së djeshme, italiani provoi disa formacione me lojtarë të ndryshëm. Fillimisht ai testoi Gjimshitin-Veseli në qendër dhe Alijin e Hysajn nga krahët.

Në variantin tjetër provoi Ajeti-Ismajli në qendër dhe nga krahët po Hysaj me Alijin. Ndërkohë edhe në mesfushë u provuan disa lojtarë. Fillimisht Basha-Xhaka-Memushaj dhe më pas Abrashi-Kaçe dhe Abazaj.

Ndërsa sa i përket sulmit, italiani është në të njëjtin variant me një ditë më parë duke përzgjedhur Sadikun në majë dhe nga krahët Grezdën dhe Uzunin. Sa i përket variantit të dytë, mund të jetë një provë edhe në dispozicion të përgatitjeve për ndeshjen e dytë me Andorrën.

SEANCAT STËRVITORE – Teksa dy ditë me radhë italiani zhvilloi nga një seancë përgatitore në ditë, dita e djeshme ishte shumë e ngarkuar për kuqezinjtë, të cilët zhvilluan dy seanca. Përgjatë seancës së paradites, grupi iu nënshtrua më tepër përgatitjeve fizike dhe atletike, ndërsa gjatë pasdites iu nënshtrua skemave të përgatitura nga italiani dhe stafi i tij.Gjatë seancës së pasdites, Panuçi kërkoi që grupi të disiplinohej dhe të merrnin masat për goditjet standarde si kur kjo e fundit është për kundërshtarin, ashtu edhe kur u përket kuqezinjve me qëllim të mos gjenden të papërgatitur në situata të tilla në përballjen me Turqinë. Sakaq u aplikuan pasditen e djeshme edhe disa skema taktike.