Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës reagon për projektin e stadiumit nacional

Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës reagon për projektin e stadiumit nacional

Sport July 15, 2019 - 10:59
Lexoni detajet

Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës (A-A-K),  në mbledhjen e rregullt shqyrtoi kërkesat  e anëtarëve të saj të interesuar për informacion për procesin e konkursit të projektit të Stadiumit Nacional në Drenas, të shpallur dhe të përmbyllur disa ditë më parë në kuadër të procedurave të udhëhequra nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve të Kosovës.

Pasi që, Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës, nuk ka qenë i përfshirë në asnjë mënyrë në procedurat e zhvilluara të përgatitjes së programit të konkursit, të evaluimit të tij apo dhënies së çfarëdo mendimi profesional, ndajnë shqetësimet me anëtarët e tyre dhe opinionin, lidhur me jo-transparencën gjatë vendimmarrjes nga ana e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe njëkohësisht, informojnë se, as në shkresën e tyre zyrtare drejtuar Ministrit, dhe Ministrisë, ata, si trupi i vetëm profesional me interes publik në vend, nuk kanë marrë përgjigje.

Në situatën e krijuar, ata kanë kërkuar që të respektohen disa pika:

Procedura e aplikuar e përzgjedhjes së konkurrentëve, ka qenë procedure e kufizuar;

Konkursi ka përfunduar me rivlerësim, për arsye të ankesës së konsorciumit amerikan DLP – ARUP ,të cilët fillimisht janë eliminuar, sipas arsyetimit “për mungesë të eksperiencës…”, ndërkohë që të dy anëtarët e konsorciumit janë top kompani botërore;

Në këtë rast, Organi Shqyrtues i Prokurimit ka kthyer procedurën mbrapsht;

Nga të gjithë të paraqiturit në konkurs dhe gjashtë të përzgjedhurit, vetëm dy punime janë dorëzuar [Konzorciumi amerikan DLP – ARUP njëherë i eliminuar si dhe kompania Turke Tabanlioglu, tashmë fituese];

Konsorciumi amerikan e ka tërheqë punimin e vet para se të kalojë procedurën e vlerësimit, pasi që MKRS-ja nuk ka emëruar komisionin vlerësues konform rregullave të konkurseve ndërkombëtare;

Projekti i kompanisë turke [Tabanlioglu] është shpallë si më i miri në konkurrencë me vetveten, nga se ka qenë i vetmi në procedurën e vlerësimit;

Nuk ka pas asnjë mbrojtje publike, prezantim publik apo çfarëdo forme të komunikimit me publikun as nga autoret as nga Komisioni eventual;

Nuk ka pas as Komision Vlerësues profesional, të njohur apo të publikuar, ose i njëjti është mbajtur larg syve të publikut;

Vetëm më 14.06.2019 është mbajtur, një prezantim përpara një rrethi të ngushtë të emrave nga politika dhe sporti;

Asociacioni nuk komenton projektin arkitektonik, pasi që, nuk ka pas çasje në vlerësimin e tij.

Njëkohësish, njoftojmë se nuk jemi të thirrur, në çfarëdo cilësie, nga ana e MKRS as për Konkursin tjetër kapital të paraparë,  atë për ndërtesën e Teatrit dhe Operës.  Në ndërkohë, ne jemi informuar se me datë 08.07.2019  Ministria (MKRS) ka anuluar procedurat e mëtejme për këtë Konkurs dhe më pas me një lajmërim të ri ritenderohet, edhe pse një lajmërim i tillë sot, nuk mund të shkarkohet nga ueb-faqja zyrtare e  MKRS-së.

Gjithsesi, ekipi ynë monitories, do të tentoj në vazhdimësi të kontaktoj dhe të grumbulloj informata  nga Ministria (MKRS) për këtë çështje dhe për të njëjtat do të iu mbaj të informuar me kohë.